Partia Demokratike mban këtë të shtunë zgjedhjet për kreun e ri të saj. Prej orës 08:00 të mëngjesit janë hapur qendrat e votimit në të gjitha Bashkitë e vendit, të cilat do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00.

 

Sipas njoftimit të PD, 30 minuta pas përfundimit të proçesit të votimit, do të nis proçesi i numërimit. Janë 25 000 anëtarë të Partisë Demokratike që kanë të drejtë vote.  Në këtë proces garojnë dy kandidatë, ish krye-demokrati Lulzim Basha dhe Gjergj Hani. Kandidati Gjergj Hani voton në orën 10.00 tek zyrat qendrore të PD, ndërsa Lulzim Basha në 11.00 pranë zyrave të degës 8 në Tiranë.

 

PD në këtë proçes vjen me një përplasje brenda saj, e cila ka përfunduar në dyert e gjykatës. Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike dhe një grup deputetësh sëbashku thirrën Këshillin Kombëtar të enjten në mbrëmje. Një mbledhje e cila solli anullimin e proçesit zgjedhor. Por ky vendim nuk u mor parasysh nga kryesia e PD dhe një grup tjetër deputetësh, të cilët i kanë besuar vulën e selisë blu, Indrit Sefas, Sekretarit për çështjet ligjore në PD. Sefa deklaroi se Këshilli i thirrur nga Bardhi është imagjinar dhe nul sa i takon anës ligjore. Kësisoj, grupi i Bardhit ka depozituar kallëzim në Gjykatë.

 

Pavarësisht kësaj përplasje, selia blu këtë të shtunë është duke zhvilluar procesin zgjedhor për zgjedhjen e kreut të saj.