Policia e Korçës ka publikuar planin e masave të marra për maratonën që do të zhvillohet përgjatë ditës së sotme në Pogradec.

 

Sipas njoftimit të Policisë së Korçë, mësohet se disa akse rrugore do të jenë të bllokuara. “Në datën 29.07.2023, në orën 19:00, në qytetin e Pogradecit, shoqata “Maraton Albania” dhe bashkia Pogradec, në kuadër të planit të aktiviteteve për pjesëmarrje në Maratona Kombëtare dhe Ndërkombëtare, do të organizojnë një aktivitet sportiv maratonë, i cili përfshin dy disiplina:   Disiplina e parë (21 km) “half maratonë”, e cila starton nga fshati Lin, vazhdon përgjatë aksit rrugor buzë liqenit dhe përfundon në qendër të qytetit të Pogradecit;   Disiplina e dytë (10 km) “mini maratonë”, e cila straton nga qendra e qytetit të Pogradecit dhe vazhdon drejt fshatit Buçimas dhe Tushemisht, duke përfunduar tek pika e nisjes, në qendër të Pogradecit, përgjatë shëtitores buzë liqenit dhe unazës lidhëse.”, njofton Policia e Korçës.

 

“Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, strukturat e Policisë do të marrin masa për ruajtjen e rendit publik, krijimin e parametrave të sigurisë rrugore, sigurimin e qarkullimit të lirë dhe pa rreziqe për garuesit, si dhe parandalimin e ngjarjeve rrugore. Për këtë qëllim, informojmë të gjithë drejtuesit e mjeteve se: Akset rrugore “Lin-Pogradec”, “Qafë Plloçë-Pogradec”, segmenti i rrugës “Tushemisht-Pogradec” do të jenë të bllokuara në të dyja korsitë, nga ora 19:00 deri në orën 20:30. Gjithashtu do të bllokohen edhe rrugët në brendësi të qytetit të Pogradecit, deri në përfundimin e këtij aktiviteti.  Drejtoria Vendore e Policisë Korçë kërkon mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës, për ndalimin e qarkullimit të mjeteve, në akset rrugore të lartpërmendura, nga momenti i fillimit të këtij aktiviteti deri në përfundim të tij.”, përfundon  njoftimin e saj Policia e Korçës.