Partia e Lirisë akuzon qeverinë se përmes vendimit për rivlerësimin e çmimit të referencës së apartamenteve rrit ngarkesën e taksave të qytetarëve.

 

Silva Caka, Sekretare për Marrëdhëniet me Publikun e Partisë së Lirisë, përmes një deklarate për mediat vuri në dukje se, “Qeveria nëpërmjet një vendimi të vitit 2018, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare, çmimet e referencës së apartamenteve do të rriten me 54% në të 32 zonat e Tiranës dhe rrjedhimisht do të reflektohet edhe në taksën që secili nga ne paguan për pronën që posedon, si individët, ashtu edhe bizneset.”

 

“Madje nga kjo taksë nuk do të shpëtojnë as ata qytetarë që jetojnë me qera, pasi kjo taksë, si shumë taksa të tjera të rritura në mënyrë arbitrare, do të vilet nëpërmjet faturës së ujit, duke treguar edhe një herë se binomi i vjedhjes qeveri-bashki, rri çdo natë pa gjumë për të shpikur mënyra të reja vjedhjeje.

 

Taksa për çmimin e referencës për qytetarët do të shkojë 0.05% e këtij çmimi, ndërsa për bizneset, kjo vlerë kap shifrën e 0.15%.”, tha Caka

 

“Kjo rritje e çmimit të referencës dhe në mënyrë derivateve edhe e taksës që vilet prej tij, në mes të vitit, pa paralajmërim dhe pa një studim të mirëfilltë të tregut apo efekteve financiare të tij, sjell çudira në çmimet që kapin apartamentet në disa zona të konsideruara si më të frekuentuarat e të banuarat në Tiranë, madje, në zonën e Bllokut, çmimi i një metri katror do të shkojë mbi 2 milionë lekë të vjetra, kur dihet që kjo zonë ka një numër të konsiderueshëm apartamentesh, të cilat janë ndërtuar përpara 60 vitesh.”, shton Caka.

 

Ajo thekson se “rritja e çmimit të referencës nuk është aspak një mjet për të rregulluar tregun e shit-blerjes së apartamenteve, por vetëm një mënyrë zhvatjeje e parave të qytetarëve.

 

Në fletoren zyrtare më datë 27 korrik janë publikuar çmimet e reja të referencës për pasurinë e paluajtshme. Formula e re e miratuar në vitin 2018 parashikon që taksa e ndërtesës për familjarët do të jetë sa 0,05% e vlerës së apartamentit, ndërsa për bizneset, kjo taksë do të jetë 0,15% . Në Fletoren zyrtare janë botuar ndryshimet për vendimin e vitit 2018 për metodologjinë e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme për të gjitha bashkitë e vendit përfshi edhe Tiranën.  Rritja mesatare e çmimeve të referencës për 32 zonat kadastrale të kryeqytetit llogaritet rreth 29,600 Lekë për metër katror.