Venecia duhet t’i shtohet listës së vendeve të trashëgimisë botërore në rrezik, ka thënë agjencia kulturore e OKB-së.

 

Qyteti italian është në rrezik të dëmtimit “të pakthyeshëm” nga turizmi dërrmues, mbizhvillimi dhe rritja e nivelit të detit për shkak të ndryshimeve klimatike, sipas një raporti nga Unesco. Agjencia synon të inkurajojë ruajtjen më të mirë të sitit për të ardhmen.

 

Venecia njihet si “La Serenissima”, që përkthehet “shumë i qetë” – por ky pseudonim nuk i përshtatet më. Raporti i UNESCO-s fajëson autoritetet italiane për “mungesë të vizionit strategjik” për të zgjidhur problemet me të cilat përballet një nga qytetet më piktoreske të Italisë.

 

Është një goditje për autoritetet, të cilët akuzohen se nuk mbrojnë qytetin historik dhe lagunën përreth. Por një nga ish-kryetarët e bashkive të Venecias ka akuzuar agjencinë ndërkombëtare të trashëgimisë si “një nga trupat më të shtrenjtë dhe më të padobishëm në faqen e dheut”.

 

Massimo Cacciari tha se UNESCO kalon “gjykim pa njohuri” dhe “jep opinione majtas dhe djathtas, të cilat do të bënim më të mirën t’i shpërfillim”. Futja e Venecias në listën e rrezikut ishte propozuar tashmë nga Unesco dy vite më parë, por u shmang në momentin e fundit për shkak të disa masave emergjente të miratuara nga qeveria italiane.

 

Në veçanti, një nga ato masa ishte vendimi për ndalimin e anijeve të mëdha, të tilla si anijet e lundrimit, në Kanalin San Marco, si dhe premtimi për të nisur një plan ambicioz të ruajtjes së qytetit.

 

Ndalimi i anijeve të mëdha po zbatohet edhe pse UNESCO thotë se duhet të shtrihet edhe në modelet e tjera të varkave që janë shumë ndotëse. Por plani për të shpëtuar Venecia nuk u zbatua kurrë dhe ka mbetur një mirazh.

 

Sipas gazetës italiane La Repubblica, ekspertët e UNESCO-s i kanë shkruar disa letra qeverisë italiane duke kërkuar përditësime dhe një orar. Përgjigjet që ata morën u konsideruan të pamjaftueshme.

 

Raporti i UNESCO-s, i parë nga la Repubblica, thotë se autoriteteve që merren me emergjencën në qytet u mungon një strategji për të adresuar kërcënimin e ndryshimeve klimatike. Një planet që po ngrohet ka një ndikim të dëmshëm duke shkaktuar rritjen e nivelit të detit, kështu që Venecia  e cila është e rrethuar nga uji është shumë e ndjeshme ndaj përmbytjeve.

 

Për më tepër, rreth 28 milionë turistë vizitojnë Venedikun çdo vit. Kjo çon në gjithnjë e më shumë projekte të zgjerimit urban, i cili nga ana tjetër e dëmton qytetin, sipas Unesco.

 

Ndër të tjera, UNESCO beson se ndërtesat e larta mund të “kenë një ndikim të rëndësishëm vizual negativ” në qytet dhe ato duhet të ndërtohen larg qendrës së qytetit. Venecia konsiderohet një perlë e padiskutueshme nga italianët. Përveçse i është vënë një pseudonim për qetësinë e tij, ai njihet si “qyteti i dashurisë”, “la domitante” (mbizotëruesi) dhe “mbretëresha e Adriatikut”.

 

UNESCO liston 55 vende të Trashëgimisë Botërore globalisht si “në rrezik”, me 204 të tjera që po monitorohen në mënyrë aktive nga agjencia për shkak të kërcënimeve me të cilat përballen.