Në hyrje të qytetit të Shkodrës, në afërsi të Urës së Vjetër të Bunës, po punohet për molin e ri me një platformë lundruese e përshtatshme për lidhjen e varkave.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky kantier, ndërsa theksoi se moli i ri do të pasurojë ofertën turistike të Shkodrës.
“Ndërtimi i tij sjell për herë të parë një mundësi të re lundrimi, duke pasuruar ofertën turistike e duke nxitur biznesin në zonë”, tha kryeministri.
Moli do të ketë përmasat 60 me 20 metra dhe një platformë lundruese 59 me 4 metra, që është shumë i përshtatshëm për varkat e lidhura.
Infrastruktura e ndërtuar nga projekti i moleve në Shkodër është një hap në drejtimin e duhur drejt një liqeni të mbushur me varka, tragete e kanoe, gjithmonë në respekt të vlerave unike mjedisore të liqenit.
Ndërtimi i tre moleve në Shkodër si dhe ndërlidhja kufitare me lundrim dhe rrugë me fshatrat në breg të liqenit në Malin e Zi do t’i hapë një perspektivë krejt tjetër turizmit në këtë zonë.