SPAK ka mbyllur hetimet për operacionin “Plumbi i Artë”,  nga i cili nga u zbardhën 18 ngjarje të rënda kriminale të ndodhura ndër vite. Organi i akuzës u ka komunikuar akuzat personave të dyshuar.

 

Më pas dosja i delegohet Gjykatës së Posaçme, e cila në seancë paraprake vendos nëse do të kalojë për gjykim në fillim të muajit shtator.

 

SPAK firmosi 32 urdhër-arreste, nga të cilat 19 janë ekzekutuar. Hetimi penal u regjistrua në Prill të këtij viti pas arrestimit të Nuredin Dumanit dhe mikut të tij Henrik Hoxhaj. Rrëfimet e tyre nxorën në dritë ekzekutime, në këmbim të shumave të konsiderueshme të parave që shkonin nga 30 mijë në 500 mijë Euro.

 

Ata zbuluan vrasje, përplasje mes bandave kriminale, ndarjen me Talo Çelën, vrasjen makabre të Fatmira Dedës, si u nxorën në pritë dhe u vranë vëllezërit Viktor Haxhia dhe Besmir Haxhia, vrasjen e vëllait të Talo Çelës etj.

 

Dumani rrëfeu gjithashtu që Ervis Martinaj, zhdukur prej një viti ka qenë gati t’i paguajë 500 mijë euro për vrasjen e Indrit Dokles, atentat që nuk e realizua.

 

Prokuroria e Posaçme përkrah hetimit penal për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve kriminale, pritet të kalojë në sitë edhe pasuritë e të 32 personave nën hetim dhe familjarëve e lidhjeve të afërta të tyre.