Ish-gardisti dhe shoferi i Lindita Nikollës, Martin Nikolli, i cili dhunoi dhe qëlloi në ajër me armë zjarri ndaj familjes Kaçi në Hamallaj është paraqitur në gjykatë për masë sigurie.

 

Gjykata ka dhënë urdhër mbrojtje për familjen Kaçi.

 

 

Familjet Nikolli dhe Kaçi kanë qenë në konflikt prej kohësh për shkak të një rruge. Martin Nikolla, i cili ishte punonjës i Gardës së Republikës dhe pjesë e grupit të shoqërimit të kryeparlamentares Lindita Nikolla së bashku me vëllezërit e tij i kanë zënë pritë dhe kanë dhunuar 80-vjeçarin Pjetër Kaçi, kryefamiljar i familjes Kaçi cili po kalonte në rrugën e lagjes. Sipas dëshmisë së një prej anëtarëve të familjes Kaci, Pualin Kaci, ata u dhunuan me shkop bejsbolli, teksa shtoi se Nikolli qëlloi me armë zjarri në ajër.

 

Menjëherë pas bërjes publike të lajmit, ish-gardisti Nikolli u shkarkua nga detyra me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla.