Sulmet ruse me dronë i kanë dëmtuar objektet e drithërave në portet e Ukrainës, Odesa dhe Izmail, gjatë natës, thanë autoritetet ukrainase më 2 gusht.
Si pasojë, në gjithë Ukrainën u lëshuan alarme për sulme ajrore.
Një silos i drithërave u dëmtuan në Izamil, njërën prej dy porteve të Danubit që Ukraina është duke i përdorur për t’i eksportuar drithërat, pasi muajin e kaluar Moska nuk pranoi ta zgjaste marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara (OKB) për eksportimin e drithërave dhe produkteve të tjera ukrainase përmes detit.
“Një tjetër depo drithi në portin e Izmailit, rajonin e Odesas, u dëmtuan nga rusët. Drithërat ukrainase kanë mundësi t’i ushqejnë miliona njerëz në mbarë botën”, tha Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter.
Izmaili ndodhet rreth 15 kilometra në veri të Tulekës, një porti të madh të Danubit të anëtares së NATO-s, Rumanisë. Javën e kaluar, dronët rusë e goditën Renin, portin tjetër të Danubit që përdoret nga Ukraina për të eksportuar drithëra. Reni ndodhet rreth 200 kilometra përgjatë Danubit nga Rumania.
Në Odesa, dronët rusë i goditën objektet për ruajtjen e drithërave, tha guvernatori rajonal Oleh Kiper.
“Si pasojë e sulmit shpërtheu zjarri në objektet e portit dhe në infrastrukturën industriale në rajon, dhe një depo e drithërave u dëmtua”, shkroi Kiper në Telegram.
Odea, porti kryesor i Ukrainës në Detin e Zi, është goditur vazhdimisht nga granatimet dhe sulmet me ruse dronë, qëkur Rusia u tërhoq nga marrëveshja për drithërat.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në Telegram se pjesë të portit në jug kanë pësuar dëme të mëdha.
“Ne po e mbrojmë veten me maksimumin e forcave që i kemi…Fatkeqësisht, ka dëme. Dëmi më i madh është bërë në jug të vendit. Terroristët rusë i sulmuan përsëri portet, drithërat dhe sigurinë e ushqimit global. Rusia mundet dhe duhet të ndalet”, tha Zelensky.
Edhe presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, e dënoi sulmin në portin e Danubit, duke e cilësuar atë si “krim lufte”.
“Sulmet e vazhdueshme të Rusisë kundër infrastrukturës civile të Ukrainës në Danub, në afërsi të Rumanisë, janë të papranueshme. Këto janë krime lufte”, shkroi Iohannis në rrjetet sociale.
Kremlini e përsëriti më 2 gusht qëndrimin për marrëveshjen e drithërave përmes Detit të Zi, duke thënë se është e gatshme të kthehet “menjëherë” në marrëveshje, sapo të zbatohet pjesa që i përket Rusisë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i bëri këto komente një ditë pasi ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se ka sinjale se Rusia mund të jetë e gatshme të kthehet në bisedime për marrëveshjen, falë të cilës Ukraina ishte në gjendje të eksportonte drithëra përmes detit.
Peskov tha, po ashtu, se presidenti rus Vladimir Putin kishte biseduar në telefon mëngjesin e 2 gushtit me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, vendi i të cilit e ndërmjetësoi marrëveshjen bashkë me OKB-në në korrik 2022./REL