Delegacioni kosovar i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, mori pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.

 

Siç ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, në Bruksel dje u mbajt takimi i nëntë i Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, ku në mesin e ministrave dhe shefave të mbrojtjes të 54 shteteve, morën pjesë edhe ministri Mehaj dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

 

Takimi u kryesua nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin dhe kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët të SHBA-së, gjenerali Mark Milley, të cilët theksuan edhe një herë rëndësinë që secili prej shteteve të ofroj të gjithë ndihmën e nevojshme për Ukrainën dhe popullin ukrainas të cilët po përballen me agresionin rus.

 

"Mes të tjerash, sekretari Stoltenberg, gjatë fjalimit të tij, tha se nuk kemi kohë për të humbur dhe se përmes shpejtësisë së veprimeve tona do të shpëtojmë jetë", thuhet në njoftimin e ministrisë.

 

Në kuadër të takimit, ministri Mehaj theksoi pajtueshmërinë e plotë me këto qëndrime, gjë që e pohoi edhe gjatë takimeve që bashkë me gjenerallejtënant Jasharin kishte me sekretarin Stolterberg dhe homologët nga Kroacia, Letonia dhe Shqipëria.

 

Ministri Mehaj gjithashtu shprehu gatishmërinë që në çdo kohë të strehohen 5 mijë refugjatë ukrainas në Kosovë, si dhe të ofrohet mbështetje përmes trajnimit të ushtarakëve ukrainas në fushën e de-minimit, kërkim-shpëtimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme.

 

"Si një shtet që jemi përballur me një agresor të tillë me mentalitet okupues e gjenocidial, e kuptojmë shumë mirë luftën e popullit ukrainas për liri, e gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm që ka faktori ndërkombëtar në këtë mes, ndihma që mund të shpëtoj jetë e t'i jep fund terrorit", citohet të ketë thënë ministri Mehaj, duke shtuar se "jemi me popullin ukrainas dhe do ofrojmë çdo ndihmë që është brenda kapaciteteve tona"./AA