Partizani dhe Roma do zhvillojnë një duel miqësor më 12 gusht në Tiranë.

 

Prej disa ditësh flitej për një rikthim të “Specialit” në kryeqytetin shqiptar, këtë herë për një ndeshje miqësore me Romën e tij kundër Partizanit.

 

Por lajmin sot e konfirmoi kryeministri Edi Rama, i cili me anë të një postimi në rrjete sociale shkruan se perandori i Romës do të kthehet në Tiranë për një miqësore.

 

“Perandori i ri i Romës rikthehet në Tiranë”, shkruan Rama duke nënvizuar se ky test miqësor do të luhet më 12 gusht.

 

Në Tiranë, skuadra e Serie A do rikthehet në kryeqytetin shqiptar pas fitimit të trofeut të Conference League në majin e 2022.

 

Ndeshja mes Romës dhe Partizanit do të luhet 2 ditë pas sfidës me Valmieran që të kuqtë luajnë në transfertën e Letonisë për Conference League. Për Mourinhon do të ishte hera e dytë që do të zbarkonte në kryeqytet, ndërsa ka kujtime të bukura nga Tirana, ku në “Air Albania” fitoi edhe trofeun e Conference League.

 

Pas Egnatias që në 13 gusht do përballet me Interin në një miqësore në Itali, skuadrat shqiptare kanë rritur nivelin edhe me kundërshtarët e zgjedhur.