Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë për gazetën e njohur britanike “The Telegraph”. Në intervistën e saj, ajo ka folur për çështjet aktuale, përfshirë situatën në veri dhe mundësinë e një lufte mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe në këtë intervistë, Osmani e ka përmendur Wagnerin, grupin paramilitar të lidhur me regjimin e Vladimir Putinit, president i Rusisë.

 

 

Në intervistë, Osmani e ka krahasuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç me atë të Rusisë, Putin, duke mos e përjashtuar se i pari mund të bëjë të njëjtin “budallallëk” sikurse Putini. Pra Osmani nuk e përjashtoi mundësinë që Vuçiç të tentojë të ndërhyjë në Kosovë.

“Dy ose tre ditë para pushtimit të Ukrainës, po dëgjoja kaq shumë liderë botërorë që thoshin ‘Putini nuk është aq budalla, ai nuk do ta bëjë këtë’. Ne e dëgjojmë këtë tani për Vuçiçin - "ai nuk është aq budalla, ai nuk do ta bëjë atë. Vetëm për shkak se KFOR-i është në Kosovë “nuk do të thotë se Vuçiç nuk do ta bënte kurrë atë. Nuk po them se do ta bëjë, por ne gjithmonë duhet të jemi gati për të parandaluar një skenar të tillë.” – citohet të ketë thënë Osmani për Telegraph.

 

Tutje, Osmani ka përmendur grupin e famshëm rus “Wagner”, që llogaritet të jetë një grup paramilitar i afërt me Putinin, i cili grup tashmë është në listën e organizatave terroriste të ShBA-së. Duke folur për situatën të para disa muajve në veri, Osmani deklaroi se kishte edhe llogore, të tilla që përdoren për të luftuar.

 

“Ata sjellin armë dhe uniforma por nuk janë formalisht pjesë e ushtrisë serbe. Serbia dëshiron të arrijë qëllimet e saj pa u quajtur operacion ushtarak.” – theksoi Osmani.

 

“Objektivi serb është të "përgatisë situata për një aneksim të mundshëm - jo përmes një operacioni ushtarak tradicional, por përmes një lloj sulmi hibrid".” – vazhdon citimi i Telegraphit.

 

Më tej Osmani ka bërë një paralele ndaj deklaratave të Putinit para pushtimit të Krimesë dhe atyre të Vuçiçit, duke theksuar se ka ngjashmëri.

 

“Nëse shikoni se çfarë bëri Putini në 2014, është një kopjim, është i njëjti libër lojërash. Fillimisht ai instrumentalizoi rusët që jetonin atje, më pas krijonte lloj-lloj operacionesh me flamur të rremë dhe më pas dërgoi në këto grupe paraushtarake. “Ka prova të qarta se grupet paramilitare serbe e kanë planifikuar dhe organizuar këtë (me Wagner). Sa ishin në kufi apo brenda (territorit të Kosovës), kjo është një çështje që ende po hetohet.” - citohet presidentja Osmani nga Telegraph./Nacionale