Në seancën dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), ku u diskutua kërkesa e Afrikës së Jugut për të marrë masa shtesë kundër Izraelit, u shfaq një fotografi e shkrepur nga një fotoreporter i Anadolu-t në qytetin Khan Younis.
Gjatë ditës së parë të seancave dyditore në GJND me qendër në Hagë, pala e Afrikës së Jugut mbajti prezantimin e saj.
Gjatë seancave, Adila Hassim, një nga avokatet që përfaqëson Afrikën e Jugut, paraqiti një fotografi në Khan Younis nga fotoreporteri i Anadolu-t, Ali Jadallah, që përshkruan shkatërrimin e lënë pas nga veprimet e Izraelit.
Hassim tha se fotografia tregonte se palestinezët filluan të kthehen në shtëpitë e tyre pasi Izraeli i dha fund pushtimit të tij në Khan Younis muajin e kaluar.
“Siç mund të shohim të gjithë, nuk ka mbetur asgjë pas. Veprimet e fundit të Izraelit në Rafah ekspozojnë tmerrësisht planin e tyre të koordinuar që synon të shkatërrojë themelet e jetës palestineze në Gaza”, tha ajo.
Fotografia e kapur nga Anadolu përshkruan qytetin Khan Younis në një gjendje të panjohur, duke treguar shkatërrimin masiv.
Në fotografi, rrugët e qytetit Khan Younis, që ndodhet në Rripin e Gazës jugore, ishin shkatërruar tërësisht.
Fotografia gjithashtu zbuloi se javë të tëra të bombardimeve të vazhdueshme izraelite i kishin kthyer ndërtesat në qytet në rrënoja dhe hi, me rrugë të shkatërruara si nga buldozerët ashtu edhe nga sulmet ajrore.
Ajo tregoi gjithashtu se disa banorë palestinezë kishin filluar të kthehen në shtëpitë e tyre në zonë.
Izraeli vazhdon ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkonte një armëpushim të menjëhershëm në enklavën palestineze.
Të paktën 35.200 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i sulmit izraelit në Gaza në tetor të vitit të kaluar, shumica dërrmuese të cilëve kanë qenë gra dhe fëmijë, si dhe mbi 79.200 të tjerë janë plagosur.
Më shumë se shtatë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për “gjenocid” në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë gjenocid dhe të marrin masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa