Moti i keq me reshje shiu dhe vranësira që ka pushtuar pothuajse të gjithë vendin, duke bërë që pushuesit të boshatisin plazhin dhe të ndërpresin pushimet e tyre në fundjavën e parë të gushtit.
Qyteti bregdetar i Durrësit është përfshirë nga reshjet e shumta të shiut. Për pasojë, plazhi është boshatisur nga pushuesit, megjithatë nuk ka pasur probleme me lundrimin. Tragetet kanë mbërritur në orar.
Mësohet se nuk është lajmëruar për pezullim për punën e tyre nga Kapiteneria e Portit të Durrësit.
Lajmërimi ka shkuar për anijet e tonazhit të ulët dhe ato turistik që të mos dalin në det pasi moti do të jetë i paqëndrueshëm.
Edhe në Vlorë situata paraqitet e njëjtë, ku turistët janë detyruar të boshatisin plazhin për shkak të reshjeve. Siç duket edhe nga këto pamje, qyteti përballet edhe me një fluks të rënduar automjetesh.
Edhe në Vlorë, Policia Kufitare bëri thirrje që të mos dalin në det mjetet lundruese për qëllime turistike dhe argëtuese, pasi moti do të jetë i paqëndrueshëm dhe deti me dallgë të mëdha.