Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar pas megaoperacionit të Policisë së Shtetit, ku u zbulua kultivimi i kanabisit në një repart ushtarak në Zarr Hell në Tiranë.
Në një postim në Facebook, Blushi e ka cilësuar ngjarjen si shumë të rëndë me pasoja tepër serioze për sigurinë kombëtare dhe imazhin e NATO-s. Sakaq bën thirrje për dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes.
Postimi i plotë:
Kultivimi i drogës në repartet ushtarake dhe përfshirja e vetë ushtarakëve, komandatëve dhe drejtuesve të Forcave të Armatosura në trafikun e drogës është një ngjarje shumë e rëndë me pasoja tepër serioze për sigurinë kombëtare dhe imazhin e NATO-s, vend anëtar i së cilës ne jemi.
Zbulimi se repartet tona ushtarake, si në rastin e Zall Herrit, janë shndërruar në baza droge është një tjetër provë e shndërrimit të Shqipërisë në narko-shtet dhe protektorat droge nga Edi Rama.
Kjo ngjarje shumë e rëndë që nxin imazhin e Forcave të Armatosura, pjesë e NATO-s, kërkon urgjentisht përgjegjësi ligjore dhe morale.
Në çdo vend të NATO-s ku do zbulohej se në repartet ushtarake kultivohet drogë dhe ku komandatët e Forcave të Armatosura drejtojnë vetë trafikun, ministri i Mbrojtjes minimalisht do të jepte urgjentisht dorëheqjen!
Pamjet e zbulimit të parcelave të kanabisit në repartin ushtarak në Zall Herr të Tiranës flasin vetë!