Një emër i njohur për drejtësinë rezulton të jetë Fatjon Murati, në lokalin në pronësi të të cilit ndodhi një masakër mbrëmjen e djeshme me një të vrarë dhe pesë persona të tjerë të plagosur.

 

Ndërkaq, mësohet se ndaj Fatjon Muratit kishte një masë sigurie arrest shtëpie, por ai nuk është gjetur nga policia në shtëpinë e tij.

 

Ditët e fundit ishte kryer dhe kontrolli i prezencës së tij në banesë nga oficerët e policisë. Fatjon Murati kishte firmosur deklaratën që ndodhej në shtëpi. Por pasi ka nënshkruar, ai është larguar.

 

Sipas Klan Neës, Murati mendohet të jetë arratisur drejt Kosovës. Prej këtej, hetuesit kanë dyshime se ai është larguar drejt Turqisë.

 

Por kush është Fatjon Murati?

 

Fatjon Murati është ndaluar për herë të fundit nga policia mbrëmjen e 8 Tetorit 2022 në Tiranë.

 

Ai u konstatua brenda një makine luksoze në Tiranë që u ndalua për kontroll. Së bashku me të në makinë ishte edhe Endrit Dokle. Fation Murati në atë kohë ka qenë në kërkim dhe ishte pikërisht një informacion i policisë se një person në kërkim po qarkullonte në rrugë të ndryshme të Tiranës.

 

Fation Murati ishte shpallur në kërkim pasi gjurma e gishtit të tij është gjetur në një send gjatë kontrollit të banesës së Kristin Gjinit në 12 Korrik 2022 ku u sekuestruan një arsenal armësh. Murati ka mohuar para hetuesve që të ketë njohje me Gjinin dhe se nuk ka lidhje më arsenalin e armëve. Ndërsa për shenjën e gishtit ai nuk ka dhënë asnjë shpjegim.

 

Mbrëmjen e 8 Tetorit Murati u shoqërua në polici së bashku më Endrit Doklen dhe kunatin e tij Gentian Reçi. Dokle dhe Reçi u lanë të lirë nga policia pasi nuk u konstatuan sende të paligjshme në automjet dhe nuk kishte arsye për tu ndaluar.

 

Por, para ndalimit, Fatjon Murati ishte paraqitur në Policinë e Krujës së bashku me Gentin Reçin ku dëshmuan në lidhje me masakrën e 3-fishtë tek mbikalimi i Fushë-Krujës ku humbën jetën Brilant Martinaj  (nipi i Ervis Martinajt), Diklen Vata dhe Besmir Hoxha. Ata mohuan që të kenë lidhje me këtë ngjarje dhe pas dhënies së deklarimeve u larguan.

 

Murati është pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja e rëndë mbrëmjen e së dielës në “Don Bosko”, ku u vra banakierja Mimoza Paja dhe mbetën të plagosur edhe 6 persona, mes tyre edhe një e mitur 10-vjeçare. Të plagosur mbetën Sahit Murati, Astrit Meraj, Emanuele Sala, Ermir Bejçuku dhe Genc Shohalli.