Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u mbajtën të dielën homazhet në nderim të ish-drejtorit të  Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Fadil Canaj.

 

Në hollin e Drejtorisë së Policisë, nga ora 10:00 deri në orën 12:00 kryen homazhe drejtues dhe punonjës të Policisë së Shtetit, zyrtarë dhe personalitete të jetës publike. I pranishëm gjatë homazheve ishte dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

 

“Jam këtu për t’i shprehur ngushëllimet e mia familjes së të ndjerit. I kujtoj publikut dhe shqiptarëve që Canaj ka patur një rol të rëndësishëm në ringritjen e Policisë së Shtetit në ditë të vështira. Ka patur rol të rëndësishëm, për vendosjen e forcës së shtetit dhe të ligjit në të gjithë territorin e Republikës. Dua ta them shumë qartë se në rolin tim dhe detyrën time të Ministrit të Brendshëm, do të bëjë gjithçka, që përkujdesja jo vetëm ndaj punonjësve aktualë, por dhe çdo funksionari të Policisë së Shtetit të vazhdojë përgjithnjë”, tha Balla.

 

“Në këtë moment të vështirë për familjen Canaj, dua t’i shpreh ngushëllimet jo vetëm të miat, por edhe nga i gjithë stafit të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, duke i shprehur mirënjohjen për kontributin e tij të veçantë që ka patur në kuadër të punës si drejtues i Policisë së Shtetit, por edhe në Ministrinë e Brendshme”, përfundoi Balla.

 

Më pas, familjarët, miqtë dhe të njohur shoqëruan për në banesën e fundit të ndjerin Canaj, për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

 

Fadil Canaj u nda dje, 5 gusht 2023, nga jeta në moshën 72-vjeçare. Ai ka mbajtur detyra të rëndësishme si shef i Policisë në Durrës, Drejtor i Policisë në Tiranë, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, zv/ministër i Brendshëm dhe shef kabineti i disa ministrave në vitet 2000-2005.