Një 48-vjeçar është arrestuar nga policia e Elbasanit pasi kërcënonte bashkëshorten se do ta vriste me sëpatë.

 

Pas ndërhyrjes së policisë u sekuestrua një sëpatë, një përforcues grushti dhe 40 fidanë narkotikë cannabis sativa të kultivuar nga 48-vjeçari, në pronën e vet.

 

Mësohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen “Vullnetari”,  dhe si rezultat i ndërhyrjes së Policisë, u arrestua në flagrancë shtetasi A. L., 48 vjeç, banues në Elbasan.

 

Në vijim të hetimeve të thelluara për veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi, u sigurua informacion se 48-vjeçari, në një parcelë në pronësi e tij, në fshatin Vreshats, kishte kultivuar fidanë narkotikë.

 

Pas kontrolleve në këtë pronë janë gjetur dhe asgjësuar 40 fidanë narkotikë cannabis sativa që dyshohet se ishin kultivuar në kubikë, nga shtetasi A. L.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.