Është arrestuar në Kosovë një prej pjesëtarëve të grupit kriminal në lidhje me rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur më 17 janar të vitit 2020.

 

I shumëkërkuari u arrestua pas bashkëpunimit të Interpol Tiranës dhe ILECU-së, Kosovë në kuadër të operacionit “Pengmarrja”, ku në momentin e kapjes, ka paraqitur dokumentet e një shtetasi tjetër.

 

Ai ishte shpallur në kërkim pasi nga hetimet ka rezultuar se është njëri nga organizatorët e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jani Prengës në Kamëz.

 

Bëhet e ditur se është bërë kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar Aldo Majnishta, 29 vjeç, lindur në Shkodër.

 

-Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vitin 2022, i ka caktuar 29-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.

 

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi nga hetimet ka rezultuar se është njëri nga organizatorët e rrëmbimit dhe zhdukjes së shtetasit Jan Prenga.

 

-Gjithashtu, këtë shtetas Gjykata e Apelit të Shkodrës, në vitin 2016, e ka dënuar me 3 vjet burgim (nga të cilat i kanë mbetur për të kryer 2 vjet, 3 muaj dhe 15 ditë burgim), për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor “, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” , “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

 

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kosovare, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt Shqipërisë.