Shefi i Organizimit të grupit të Rithemelimit të PD, Klevis Balliu u shpreh sot në një deklaratë për mediet se, Drejtoresha e QSUT, Albana Fico, i ka dhuruar tender për të pastruar oborret e QSUT firmës “PASTRIME SILVIO” SHPK, të Fiqiri Allmuçajt, duke skualifikuar 7 kompani të tjera.

 

“Drejtoresha e QSUT, Albana Fico, pasi mbushi xhepat e Sadri Abazit me fonde të Shëndetësisë është rikthyer te duar të tjera ‘të ngrohta’ me të cilat, ose ndan paratë, ose keqmenaxhon dhe bën rrush e kumbulla të ardhurat e sektorit dhe të taksapaguesve shqiptarë. Për prapaskenat e aferave të tenderave dhe fondeve në QSUT, Fico ka thirrur firmën “PASTRIME SILVIO” SHPK, të Fiqiri Allmuçajt. Bëhet fjalë për 380 milionë lekë për të fshirë oborret e QSUT. Tenderi me objekt “Shërbim pastrimi i ambienteve të jashtme”, për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” i është dhuruar firmës së Allmuçajt”, theksoi Balliu.

 

“Themi dhuruar, sepse 7 kompani jane skualifikuar nga kjo garë vetëm që fituesi të jetë Pastrime Silvio Sh.p.k, madje ndër to edhe oferta më të ulëta. Kjo shkelje fryn xhepin e Ficos dhe të Fiqos, por firon xhepat e qytetarëve, dhe është një shembull i pastër i asaj se kur vidhet në krye të vendit reaksioni zinxhir i hajdutërisë shkon, deri te pastrueset”, u shpreh ai.

 

“Sipas raportimeve mediatike, Fiqiri Allmuça, ka qenë i proceduar penalisht për konsumimin e veprës penale te “shkeljes se rregullave te mbrojtjes ne pune” në vitin 2008, kur 2 punëtorë te firmës së tij u plagosën teksa po pastronin xhamat e një banke në Tiranë. Kompania Pastrime Silvio, ka marrë rreth 4 milionë euro tenderë të dyshimtë në mungesë konkurrence në 3 vite. Kështu, edhe pse KPP ka kapur shumë herë në shkelje tenderët që fitohen nga kjo kompani, Fico nuk merr parasysh rekordet, por ka kritere të tjera vlerësimi”, tha Balliu.

 

“Abuzimet me fondet e shëndetësisë janë aty-aty me incineratorët, për nga vlerat monetare të përfituara në kurriz të qytetarëve. Ato janë një kërcënim direkt për jetën e publikut, me një qeveri që nuk do t’ia dijë për shëndetin e qytetarëve, por vlerëson çka duket jashtë e çka vidhet brenda. Ndërkohë, në spitale nuk ka aparatura për operacionet bazike, mjekët dhe infermieret largohen, sepse puna e tyre është e papërballueshme me rrogat dhe me gjendjen aktuale të shëndetësisë; kontratat dhe tenderët i marrin darovitësit dhe miqtë e qeveritarëve dhe drejtorëve, e me radhë”, përfundoi Balliu.