Një ngjarje tragjike ka ndodhur në një park argëtimi në Francë, ku një djalë 17-vjeçar humbi jetën dhe një vajzë 19-vjeçare u plagos rëndë pasi kanë rënë nga një lodër 60 metra e lartë në një park argëtues.

 

Mediat vendase shkruajnë se  adoleshenti ka humbur jetën pasi ka rënë nga një ndër lodrat që konsiderohet atraksioni më kryesor i parkut, ndërsa një 19-vjeçare që ishte me të ka mbetur e plagosur rëndë.

 

Sipas dëshmitarëve okularë, aksidenti ka ndodhur për shkak të një ere të fortë që ka bërë që loja të devijojë nga rrjedha e saj.

 

Tragjedia ndodhi në parkun argëtues Cap d’Agde, në perëndim të Montpellier, kur dy personat ranë nga një lartësi prej 60 metrash në një lojë që është një nga atraksionet e parkut të quajtur “Adrenaline”.

 

Është një lloj lëkundjeje gjigante me një litar që mbahet nga dy shtylla mbi të cilat hipin dy persona. Këta individë janë të shtrirë, me kokën përpara, të veshur me helmeta dhe të lidhur me rripa, por jo të mbrojtur nga hekurat. Më pas ato lëshohen në hapësirë nga një lartësi prej 60 metrash me një shpejtësi prej 110 km/h dhe lëkunden.

 

Për aksidentin ka nisur hetimi gjyqësor me akuzën e vrasjes dhe plagosjes pa dashje. Parku argëtues është mbyllur me vendim gjykate deri në kryerjen e kontrollit nga ekspertët për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, ndërsa janë arrestuar katër persona, mes tyre edhe drejtuesi i parkut.

 

Në të njëjtin park pati një tjetër aksident në vitin 2019. Një mosfunksionim i rripit rezultoi në një dëmtim të lehtë në kokë dhe më pas parku argëtues u mbyll në pritje të raportit të një specialisti.