Policia e Durrësit njoftoi sot se ka goditur tre raste të ndotjes akustike. Sipas njoftimit, Policia ka sekuestruar mjetet që gjeneronin muzikë, ndërsa ka proceduar penalisht administratorët e subjekteve.
“Si rezultat i reagimit të menjëhershëm për disa kallëzime të qytetarëve, se në lokale të ndryshme, në lagjen nr. 1, vihej muzikë në tejkalim të nivelit dhe të orarit të përcaktuar, shkelje e cila përbënte shqetësim për ta, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar punën dhe kanë ndërhyrë menjëherë në 3 lokale, për të ndaluar vijimin e kësaj paligjshmërie. Për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 3 administratorët e këtyre lokaleve, shtetasit E. H., 35 vjeç dhe K. Gj., 32 vjeç, të dy banues në Durrës, si dhe për shtetasin P. M., 43 vjeç, banues në Tiranë”, njofton Policia.
“Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan disa pajisje që gjeneronin muzikë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike””, përfundon njoftimi.