Shqipëria dhe shqiptarët, e kanë nevojë jetike mbylljen e këtij kapitulli 32-vjeçar pseudodemokracie dhe rrënimi moralo-ekonomik si dhe hapjen e një kapitulli të ri, ku pushteti të mos jetë produkt i pazarit politik, por realisht të vijë nga populli dhe për popullin….

 

Shkruan Romeo Kara

Nuk ka protestë pa motiv.

Motivi është përcaktuesi kryesor i asaj çfarë bën, ndërsa është shpresa ajo që rrit besimin në fitore dhe vendosmërinë në përballje.

Kushdo që do të besojë se, Berisha dhe Meta kane motivin, aftësinë dhe forcën për të luftuar korrupsionin si dhe përmirësuar gjendjen e vendit, thjesht gënjen veten dhe vetëm veten.

Ata që kanë rënë në këtë grackë tragjiko-komike, duke aspiruar nëpërmjet kartës Meta-Berisha, vetëm për një ndërrim të shpejtë dhe sipërfaqësor të pushtetit, sigurisht vetëm në favor të riciklimit të së shkuarës së tyre, thjesht i kanë hyrë një rruge pakrye, në vend që të zgjedhin lidershipin e duhur dhe motivin përkatës bashkë me të.

Derisa opozita të hedhë hapin e parë drejt suksesit, atë të njohjes se vetvetes dhe sidomos të së keqes brenda saj, ajo do të rrijë aty ku është, kashtë e koqe rreth Berishës dhe bashkëfajtore për çfarë ka bërë dhe çfarë nuk po bën si duhet.

Shqipëria dhe shqiptarët, e kanë nevojë jetike mbylljen e këtij kapitulli 32-vjeçar pseudodemokracie dhe rrënimi moralo-ekonomik si dhe hapjen e një kapitulli të ri, ku pushteti të mos jetë produkt i pazarit politik, por realisht të vijë nga populli dhe për popullin.

Kjo epoke e re, nuk mund dhe nuk duhet të iniciohet nga kadavrad e vjetra politike, pengmarrëse të fatit tonë prej 32 vitesh.

Vetëm njerëzit e rinj, do të mund të jenë ata, të cilët do t’i japin fund monopolizimit të tregut politik nga kadavrat pengmarrëse.