Kryetari i Komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha i bëri thirrje sot qytetarëve që të marrin pjesë ditën e dielë në votime.

 

“U drejtohem me këtë rast në radhë të parë të rinjve të vendit, të gjithë të rejave dhe të rinjve, të cilët janë sot në Shqipëri. I ftoj të votojnë më 14 maj ndryshimin. Të votojnë të ardhmen, të votojnë për veten e tyre, të votojnë për bashkëmoshatarët që kanë braktisur Shqipërinë për shkaqe të lidhura direkt me politikat e Edi Ramës”, theksoi Berisha, në një deklaratë për shtyp.

 

Berisha i bëri thirrje nënave, motrave, grave dhe vajzave të marrin pjesë më shumë se kurrë në këto zgjedhje.

 

“Vota për ndryshimin është një votë që çel dyert për një gjendje më të mirë ekonomike, për një konsolidim të familjes shqiptare, për rroga më të larta, për shkollim më të mirë, për kujdes shëndetësor më të mirë”, tha Berisha.

 

Berisha u shpreh se, “u bëj thirrje të gjithë burrave, të marrin pjesë në këto votime dhe të votojnë ndryshimin, sepse alternativa tjetër është humbja e vendeve të punës dhe largimi nga Shqipëria. Biznesmenëve u bëj thirrje që të votojnë ndryshimin, që të çelin rrugën, dyert, për një politikë të re fiskale nga kandidatët e primareve. U bëj thirrje fermerëve të marrin pjesë në votime, të votojnë ndryshimin si kushti më themelor për të pasur sukses në fermat e tyre, si kushti i të gjitha kushteve për të pasur ato subvencione që marrin fermerët e tjerë në rajon”.

 

“Në tërësi u bëj thirrje punonjësve të administratës, anëtarëve të Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit, të votojnë ndryshimin, të mos ndjekin më Edi Ramën, të mos votojnë për këtë monizëm të plotë”, shtoi Berisha.

 

Berisha tha se, “i garantoj se secili prej tyre që ka zbatuar ligjet, do jetë i respektuar, por vota për Edi Ramën është votë për konsolidimin e narkoshtetit dhe pushtetit absolut të një njeriu të papërgjegjshëm”.