Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv i Trepçës, Enis Abdurrahmani ka bërë të ditur se borxhet e trashëguara nga menaxhmentet e kaluara, të cilat kapin vlerën mbi 20 milionë euro, kombinati ka arritur që në masë të madhe t’i zvogëlojë falë subvencioneve nga Qeveria e Kosovës.

 

 

Sipas Abdurrahmanit, duke ristrukturuar disa prej njësive biznesore të ndërmarrjes, Trepça tashmë është në rrugë të mbarë për t’u shndërruar në ndërmarrje profitabile.

 

Ai ka treguar se 151 punëtorë kanë bojkotuar punën, pasi kishin mbajtur grevë për mos ekzekutimin e pagave për muajin korrik, ku për këta masa financiare do të jetë 176 euro për një punëtor për katër ditë bojkot.

 

 

“Borxhet e trashëguara janë mbi 20 milionë. Ne kemi arritur në kategori të caktuara t’i reduktojmë dhe zvogëlojmë këto borxhe, këto detyrime të ndërmarrjes. Kemi arritur të zvogëlojmë detyrimet nga kategoria e borxheve që i kemi ndaj ATK-së, mbi 4.2 milionë, i kemi zvogëluar borxhet ndaj operatorëve ekonomikë kontraktuesve mbi 2.5 milionë, kemi arritur t’i reduktojmë borxhet dhe obligimet ndaj KESKO-s dhe KEK-ut”, ka thënë Abdurrahmani për KosovaPress.

 

Si rezultat i kësaj, shtoi ai, ndërmarrja ka arritur të nënshkruajë marrëveshje për investime kapitale mbi 15 milionë euro, si dhe për ndarje të një fondi kapital punues për ndërmarrjen.

 

“Trepça gjatë këtyre dy viteve ka pasur progres të madh, ka bërë kthesa të mëdha nga një ndërmarrje pothuajse e falimentuar me mbi 20 milionë borxhe, kemi arritur si menaxhment, por edhe si bord, falë angazhimit të ministres së Ekonomisë të rikthejmë ndërmarrjen në trasenë e rentabilitetit. Si rezultat i kësaj kemi arritur të nënshkruajmë marrëveshje për investime kapitale mbi 15 milionë euro, dhe për ndarje të një fondi kapital punues për ndërmarrjen, meqë ndërmarrja ka trashëguar borxhe dhe obligime nga menaxhmentet e kaluara”, shtoi ai.

 

Abdurrahmani potencoi se Trepça ka pranuar mbi 210 praktikantë në afat kohor prej gjashtë muajsh për t’i përgatitur ata për punë, 50 prej të cilëve do të punësohen nga data 1 shtator i këtij viti.

 

“Gjatë këtyre dy viteve, kemi arritur të zhvillojmë një rekrutim të ri për praktikantë, mbi 210 praktikantë kemi arritur t’i përgatisim për punë, me një mundësi që iu kemi dhënë për gjashtë muaj në ndërmarrjen Trepça, dhe në muajt e kaluar kemi zhvilluar rekrutimet e para, ku mbi 50 praktikantë kanë arritur të punësohen në ndërmarrjen Trepça Sh.A, dhe ata do të fillojnë punën që nga 1 shtatori i këtij viti. Tani ky është një nga faktorët kyç që ndërmarrja Trepça të rrisë produktivitetin e saj”, tha potencoi Abdurrahmani.

 

Ai sqaroi se Trepça për herë të parë prej pasluftës, merr opinion të kualifikuar Zyra Kombëtare e Auditimit.

 

“Në këto dy vite në ndërmarrjen Trepça janë bërë progrese të mëdha. Për këtë flasin dhe dëshmojnë edhe opinionet e auditorit të pavarur. Për dy vite radhazi, Trepça për herë të parë merr opinion të kualifikuar. Një nga progreset më të mëdha është ngritja e përgjegjësisë të raportimit financiar në këtë ndërmarrje, ngritja e disiplinës në punë. Po ashtu përveç kësaj, për herë të parë Trepça ka pasur një bilanc pozitiv, për herë të parë do të thotë ka pasur një fitim neto në historinë e saj të pasluftës. Kjo na jep kurajo dhe na premton se vitet në vazhdim mund të bëhen punë edhe më të mëdha, falë angazhimeve dhe investimeve që do të bëhen në Trepça”, sqaroi ai.

 

Abdurrahmani foli edhe për problemet, vështirësitë dhe sfidat me të cilat po përballet ndërmarrja, me ç’rast tha se edhe pse janë bërë përpjekje për të zvogëluar shpenzimet operative dhe rritjen e të hyrave, Trepça ka pasur disa kriza si rezultat i faktorëve të jashtëm.

 

“Përkundër përpjekjeve dhe angazhimeve tona që të zvogëlojmë shpenzimet operative mbi 25 për qind gjatë vitit 2022 dhe rritjes së të hyrave mbi 17 milionë euro nga prodhimi i koncentratit, plumbit dhe zinkut, kemi pasur disa kriza si rezultat i faktorëve të jashtëm që janë të pamenaxhueshme nga ana jonë, siç është rënia e çmimit të metaleve në bursë, kushti i paritetit mes dollarit dhe euros, edhe shumë probleme tjera si rezultat i krizës së energjisë. Dhe, krejt këta faktorë kanë prekur në formë direkte të hyrat e ndërmarrjes. Kjo është shoqëruar edhe me rënie të produktivitetit si shkak i vjetërsisë dhe zhvlerësimit të makinave produktive në miniera dhe flotacione”, theksoi Abdurrahmani.

 

Kryeshefi i Trepçës ka përmendur shifrat prej 40 mijë deri në 50 mijë euro humbje ditore në raste kur sabotohet puna, andaj ka apeluar te minatorët që të mos bojkotojnë punën.

 

“Një vlerë që mund të jetë e përafërt (e humbjeve ditore në rast të mos punës) varet nga shumë faktorë, mund të jetë nga 40 mijë deri në 50 mijë euro në ditë. Në konsultim me zyrën ligjore dhe departamentet tjera, kemi marrë masat e para që çdo bojkot dhe sabotim në punë do të sanksionohet me ndalesa të ekzekutimit të mëditjeve dhe shujtave ditore, dhe nëse ky bojkot dhe sabotim thellohet, atëherë i kemi masat e rregulloreve të brendshme të cilat sanksionojnë edhe me pagë deri në 40 për qind, mirëpo ligjet i kemi shumë të qarta që do të thotë se çdo bojkot dhe sabotim mbi tre ditë pune mund të shpie edhe deri në shkëputje të marrëdhënies së punës për çdo punëtor që e bënë këtë vepër”, tha kryeshefi i Trepçës.

 

“Masa fillestare është marrë ndaj 151 punëtorëve të cilët kanë bojkotuar punën, dhe një kalkulim i përafërt i masës financiare që do të merret ndaj tyre do të jetë rreth 176 euro për një punëtor, për këto katër ditë të bojkotit të punës”, ka përfunduar Abdurrahmani. /KP