Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona, të cilët kishin fshehur 8 kg kanabis në automjetin e tyre dhe tentuan të largoheshin kur u lokalizuan nga Policia.

 

Mësohet se në pranga ka rënë Ndue Çupi, 27 vjeç, banues në Rrëshen dhe Leonard Ndok, 53 vjeç, banues në Shënkoll, Lezhë.

 

“Shërbimet e Policisë, pas marrjes së informacionit se këta dy shtetas do të transportonin një sasi kanabisi në zonën e Valiasit në Kamzë, janë vënë në ndjekje të tyre dhe në rrugën “Abdi Toptani”, kanë lokalizuar të ndaluar, automjetin tip “Benz”, në afërsi të të cilit ndodheshin shtetasit N. Ç. dhe L. N. Sapo kanë parë shërbimet e Policisë, këta shtetas kanë tentuar të largohen, por janë kapur dhe vënë në pranga.  Gjatë kontrollit në automjetin tip “Benz”, u gjetën të fshehura në bagazh, 8 kg kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe 2 aparate celulare”,-njofton Policia.

 

Autoritetet bëjnë me dije vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.