Skema mbështetëse ndaj sektorit të peshkimit me teknologji të reja dhe subvencionimin e naftës kanë nxitur rritjen e eksporteve të produkteve të peshkut.

 

Nga ana tjetër edhe akuakultura konsiderohet vlerë e shtuar e ekonomisë blu.

 

Ndërsa u ndal në këtë degë të industrisë së peshkimit, Kryeministri Edi Rama theksoi se po vijon rritja e niveleve të prodhimit në det me kosha notues.

 

Sipas tij, “kapaciteti i prodhimit parashikohet të shkojë rreth 30 mijë tonë, në funksion të eksporteve shqiptare nga Europa në Japoni, si edhe të tregut vendas.

 

Sektorit të peshkimit vitet e fundit i janë krijuar një sërë lehtësish fiskale, si heqja e akcizës për karburantin, heqja e taksës së karbonit, zero TVSH për rrjetat, anijet, pajisjet elektronike, zero TVSH frigoriferëve, motorëve të anijeve të peshkimit.

Ndërsa investimet, të kombinuara me kërkesën në rritje të tregut të huaj, kanë sjellë rritje progresive të eksportit.

Rritja e eksporteve në këtë segment erdhi pas zgjerimit të investimeve, falë mbështetjes së programeve që adresoi qeveria për financimin e industrisë së peshkut.

 

Gjithashtu rol të rëndësishëm ka luajtur edhe përmirësimi i infrastrukturës në portet e peshkimit, si edhe ndërtimi i markatave të reja për tregtimin e peshkut, që ka shtuar vlerën e këtij produkti në tregje.

 

Sot eksporti i peshkut ka shënuar një rritje të shumëfishtë. Në krahasim me 2013-ën eksportet janë rritur 4 herë më shumë. Në 2022 u eksportuan mbi 9219 tonë prodhime deti./ATSH