Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato tha këtë të premte se “Bashkimi Europian ka qenë një mbështetës i fortë dhe i palëkundur i reformës në drejtësi, e cila u miratua me mbështetjen e të gjitha partive në 2016”.

Në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Gonzato theksoi se “ne vijojmë me monitorimin e kësaj reforme dhe zbatimin e saj duke u siguruar që të gjitha standardet kushtetuese e ligjore që jo vetëm ekzistojnë, por edhe aplikohen siç duhet. Për këtë kërkohet bashkërendim nga të gjitha institucionet e drejtësisë me synim që t’i jepet drejtësi qytetarëve dhe të rritet besimi i tyre tek drejtësia”.
Gonzato vuri në dukje se “ka disa çështje që kërkojnë edhe vëmendjen tonë i kemi sqaruar edhe në raportin tonë të analizës së legjislacionit si edhe në udhërrëfyes. Efikasiteti i gjyqësorit vazhdon të mbetet sfida kryesore sepse çështjet e mbartura në gjykata kërkojnë veprim të menjëhershëm. Ne kemi sjellë edhe rekomandime si dhe nevojën për një udhërrëfyes dhe si të ulet numri i këtyre çështjeve të prapambetura dhe duke pasur parasysh edhe një rishikim nga homologë të BE-së në lidhje edhe me efikasitetin e drejtësisë”.

“Pavarësia e gjyqësorit është themelore, i cili vijon me një sistem të fortë vetëqeverisës, që do të thotë me standardet më të mira dhe më të larta të vlerësimit të gjyqtarëve, prokurorëve emërimet e tyre dhe transferimet e tyre. Kjo do të thotë që duhet të aplikohet në të gjitha nivelet e drejtësisë përfshirë edhe emërimet e anëtarëve që nuk vijnë nga sistemi gjyqësor. Ne presim jo vetëm punë të fortë, por edhe vullnet e plotë politik që të tejkalohen bllokimet e mundshme potenciale që mund të ekzistojnë, që ato të zhbllokohen sa më shpejt të jetë e mundur dhe kjo është urgjente sepse është urgjente pasi mandati i dy krerëve ka përfunduar në dhjetor 2023”, nënvizoi Gonzato.

Gonzato u shpreh se “përmend edhe njëherë nevojën urgjente që ka parlamenti për të trajtuar emërimin e Avokatit të Popullit, por edhe komisionerit të Anti-Diskriminimit, të cilat si institucione luajnë një rol shumë të rëndësishëm në Shqipëri dhe çdo lloj vonese dobëson funksionet e tyre”.

Më tej Gonzato theksoi se “ky këshill ka një nevojë shumë të rëndësishme për të luajtur përveç rolit që luan edhe komisioni juaj. Ky rol është që negociatat për anëtarësim në BE, të bëhen të qarta edhe për publikun, të lejohen edhe debate publike sepse anëtarësimi në BE nuk është thjesht një çështje për teknokratët, nuk është thjesht një çështje për qeverinë, por është njç përpjekje e mbarë shoqërisë dhe na përfshin të gjithë ne”.

“Mirëpres këtë nismë nga ana juaj për të rishikuar ecurinë e Shqipërisë në përmbushjen e rekomandimeve të BE-së në fushën e sundimit të ligjit, së bashku me krerët e isntitucioneve më të rëndësishme të drejtësisë pasi ata kanë një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur”,
 tha Gonzato.

Këto rekomandime, vijoi Gonzato,  janë jo vetëm përparësi dhe prioritare për procesin e anëtarësimit në BE, por kanë të bëjnë me çështje që janë më interes për të gjithë aktorët e shoqërisë dhe për këtë arsye duhet të diskutohen në një format gjithëpërfshirës dhe me konsensus duke filluar këtu nga këshilli”.

Duke folur për procesin e anëtarësimit, Gonzato tha se “në fund të nëntorit Shqipëria dhe BE përfunduan procesin e analizës se legjislacionit siç njihet ndryshe screening dhe u mbuluan të gjitha fushat e legjislacionit të BE-së”.

“Objektivi ynë i përbashkët tani është çelja e grupkapitullit të çështjeve thelbësore sa më shpejt të jetë e mundur dhe për këtë arsye qeveria e Shqipërisë miratoi në dhjetor një udhërrëfyes për sundimin e ligjit për reformat më të rëndësishme dhe veprimet që duhet të ndërmarrë vendi në mënyrë që të ecë përpara për negociatat për anëtarësim në BE”.