Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot në një informim publik për situatën e zjarreve dhe reshjeve në vend se, mekanizmi kombëtar i mbrojtjes civile ka funksionuar këtë vit më mirë se çdo herë tjetër.

 

Kjo, theksoi ai, është arsyeja pse deri tani kemi mundur të menaxhojmë me shumë sukses 465 vatra zjarri.

 

“Kur them sukses e kam fjalën që kemi arritur objektivin primar të ruajtjes së jetës së njerëzve, pra nuk kemi as një jetë të humbur, madje as të rrezikuar. Nga ana tjetër kemi ruajtur gjithashtu pasurinë e qytetarëve tanë në qytet apo në fshat. Kemi ruajtur dhe kemi shmangur më të keqen në shumë zona pyjore. Përgjithësisht zonat e djegura nga këto zjarre kanë qenë kullota. Kemi shmangur zjarret në pemëtari, pra kemi ruajtur pasurinë e qytetarëve”, tha ai.

 

Peleshi u shpreh se, në 24 orët e fundit zjarret vazhdojnë dhe janë aktive në qarqet, Fier, Vlorë dhe Dibër.