Këtë të martë, kryeministri Edi Rama ka vizituar centralin e sterilizimit në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, kjo për të parë nga afër si bëhet procesi i sterilizimit të pajisjeve mjekësore.

 

Kjo vizitë vjen teksa kjo çështje është një nga temat më të rëndësishme të ditës pas hetimeve të SPAK dhe arrestimit të ish-zvendës/ministrit të Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj.

 

Kreu i qeverisë u shpreh se ka një konfuzion të madh për sterilizimin për shkak të hetimit, por theksoi se nëse ka persona që kanë vepruar pas shpine është çështje e tyre me drejtësinë.

 

“Është bërë një konfuzion i madh për shkak të hetimit të procedurës dhe të kompanisë përkatëse midis përfitimit të madh që ka pasur sistemi dhe çfarëdo qofte individë të caktuar të ketë bërë pas shpine që është çështje e tyre me drejtësinë.

 

Ndërkohë një nga gjerat që janë shumë evidente sot dhe që unë e lexova nga një person që është shumë kritike me ne, Irena Beqiraj që ka qenë zv. ministrja jonë e Financave.  Një nga kalkulimet që bënte Irena konfirmon atë që ne kemi thënë, vetëm ulja e ditëve pas operacionit pas qëndrimit në spital ka sjelle një përfitueshmëri financiare që është me lartë sesa shpenzimi total që është bërë për këtë proces dhe gjithë kostoja e përgjithshme që është parashikuar”, tha Rama.

 

Sipas Ramës, hetimi i SPAK-ut për abuzime të mundshme për çështjen e sterilizimit, nuk e cenon aspak suksesin e kësaj nisme madhore të qeverisë shqiptare.

 

“Në një nga 17 centralet e reja të krijuara falë PPP-së së sterilizimit, që kanë garantuar një standard krejt të ri sigurie për ndërhyrjet operatore, duke e kthyer njëherë e mirë faqen e turpit e të pasigurisë në sallat e operacioneve, duke ulur në minimum fenomenin e vjetër të infeksioneve post-operatore si pasojë e mungesës së sterilizimit të vërtetë, si edhe duke i kursyer shtetit dhjetëra miliona euro nga ulja e ditëve të qëndrimit në spitale pas operacioneve.

 

Hetimi i SPAK-ut për abuzime të mundshme në procesin e ndërtimit të këtij Partneriteti Publik Privat, nuk e cenon aspak suksesin e prekshëm të kësaj nisme madhore të qeverisë shqiptare për Rilindjen e Shëndetësisë, por siguron që askush të mos mbetet i pandëshkuar nëse ia bën me hile shtetit dhe popullit shqiptar, duke nxjerrë përfitime vetjake të paligjshme gjatë kryerjes së detyrës në punën për qëllimin e përbashkët”- thekson kreu i qeverisë.