Kryeministri Edi Rama foli sot nga Brukseli për marrëveshjen e emigrantëve me Italinë, ku tha se e gjithë politika që prodhohet nga kjo çështje nuk po merret me thelbin. “Jemi një kontribuues modest dhe po qëndrojmë krah për krah me një vend, që për ne ka një vlerë shumë të veçantë që është Italia”, u shpreh Rama i pyetur në lidhje me këtë marrëveshje gjatë konferencës së përbashkët për mediet mbi ecurinë e punës për Planin e Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me Oliver RÖPKE, president i Komitetit Europian për Ekonominë dhe Çështjet Sociale (EESC), Věra JOUROVÁ, zëvendëspresidente e deleguar e Komisionit Europian të Vlerave dhe Transparencës dhe Milojko SPAJIĆ, kryeministër i Malit të Zi.
Kryeministri Rama tha se marrëveshja me Italinë për migracionin nuk bie ndesh me politikën e BE-së për këtë çështje.
“Nuk e shoh se si ajo që po bëjmë me Italinë bie ndesh me qëndrimin e Bashkimit Europian për migracionin. Është e kundërta. Ajo që po bëjmë me Italinë, si shtet jo anëtar është ajo që supozohet të bëjë shteti anëtar. Nëse e ashtuquajtura politikë e shpërndarjes ka dështuar masivisht, kjo nuk e bën atë çka po bën Shqipëria, diçka që është ndesh me qëndrimin e BE-së në raport me migracionin. Krejt e kundërta”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se Shqipëria po sillet i vend anëtar i BE-së dhe po pranonte që një tjetër vend anëtar i BE-së të ndajë me Shqipërinë peshën e përgjegjësisë për t’u përballur me një çështje kaq të vështirë në kontekstin kur migracioni i paligjshëm është bërë ushqim i politikës së përditshme e debateve si dhe këto debate ushqim për zgjedhjet e radhës e më tej.
“Por kjo natyrisht nuk mund të jetë përgjigjia e përbashkët e BE-së për mënyrën sesi duhet trajtuar kjo situatë. Në fakt e gjithë politika që prodhohet nga kjo çështje nuk po merret me thelbin, apo me shkakun, por po merret me simptomat, ndaj shkaku po merret gjithmonë e më shqetësues dhe situatat në të ardhmen e afërt apo afatmesme mund të dalin krejt jashtë kontrollit”, vijoi ai.
Natyrisht, tha Rama, Shqipëria nuk ka asnjë fuqi këtu për të qenë ajo që jep zgjidhjen.
“Por jemi një kontribuues modest dhe po qëndrojmë krah për krah me një vend, që për ne ka një vlerë shumë të veçantë që është Italia. Ne jemi fqinj që na ndan veç deti. Dhe në këtë det po ndodin gjëra dhe nuk mund të rrimë larg e të bëjmë sikur nuk ka aspak lidhje me ne. Ne nuk jemi shtet anëtare i BE-së dhe nuk na detyron asnjë marrëveshje, asnjë angazhim për tu përfshirë në atë që ju e quani “punë e pisët”. Por, në fakt është më shumë se sa një punë e tillë, është një punë shumë sfiduese dhe të mos e bësh këtë si duhet sot, mund të shkaktojë nesër për BE-së dëme që nuk jam i sigurtë se mund të parashikohen sa katastrofike mund të jenë“, deklaroi kryeministri Rama./ata