Ka ndërruar jetë në moshën 32 vjeçare, Drejtuesja e dhomës ekonomike të gruas Klodiana Ajazi, pas disa javësh në terapi intensive. Ajazi humbi fëmijën e saj në muajin e shtatë të shtatëzanisë dy muaj më parë dhe për shkak të një komplikacioni të vështirë u trajtua në gjendje kritike për jetën në Stamboll.

“Duke ju falenderuar përulësisht për angazhimin e jashtëzakonshëm në përpjekje të shërimit të Klodiana Ajazit, drejtore e Dhomës Ekonomike të Gruas, fatkeqësisht kjo nuk e bëri të mundur shpëtimin e saj. Shpirti i saj u nis për në qiell, as dy muaj pas fëmijës së saj ëngjëll në muajin e 7 të të shtatzanisë. Sot familja dhe miqtë janë të pikëlluar për humbjen e një jete kaq të re. Bordi i Dhomës dhe anëtarët kanë humbur sot një mike, sipërmarrëse të re, punëtore, energjike, pozitive dhe bashkëpunëtore. Klodi ka dhënë një kontribut vullnetar kyc në ngritjen e fuqizimin e Dhomës Ekonomike të Gruas. Krahas punës për të rritur sipërmarrjen e saj, ajo kontribuoi për të fuqizuar, ndërlidhur, e mbështetur qindra gra sipërmarrëse në vend. Prej sot ne kemi humbur një vajzë të shkëlqyer, roli model, por do të ruajmë me forcë cdo vlerë që Klodi krijoi në këtë kohë të shkurtër, por intensive dhe të cojmë përpara misionin e saj për fuqizimin ekonomik të gruas. Jemi pranë nënës, babait, vëllezërve dhe bashkëshortit të saj në këto momente të vështira”, njofton Dhoma Ekonomike e Gruas.

Trajtimi i specializuar ishte i kushtueshëm për këtë arsye u hap edhe një ‘GoFundMe’, për të dhuruar, ku u mblodhën afro 120 mijë euro por Klodiana nuk ja doli dhe ndërroi jetë më 17 shkurt 2024 ndërsa dje u përcoll për në banesën e fundit.

Klodiana Ajazi, ishte një prej anëtarëve të Dhomës dhe mbështetëse e fortë e fuqizimit të grave sipërmarrëse dhe të ideve novatore.