Partia Demokratike mbledh sot Kuvendin Kombëtar, ku do të zgjidhet edhe Këshilli i ri Kombëtar.
Mësohet se mbledhja, e cila do të nisë në orën 10:00, do të bëhet në pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.
Përmes një reagimi në rrjete sociale, Partia Demokratike thotë se ky takim vjen në një moment vendimtar për vendin dhe se PD ka zgjedhur reformimin dhe modernizimin e partisë opozitare.
Mësohet se axhenda e Kuvendit Kombëtar do të jetë: Ndryshime statutore; Vendime organizative në përputhje me vendimet statutore; Miratimi i agjendës politike të Partisë Demokratike.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha përveç prekjes së statutit të PD-së, në vijimësi pritet t’i hapë rrugë ndryshimit të kupolës drejtuese, përfshirë kreun e Grupit Parlamentar, që sipas statutit, zgjidhet në mesin e nënkryetarëve të partisë.
Sot do të votohet edhe Këshilli i ri Kombëtar dhe teksa do të mbahen fjalime të hapura, njëkohësisht edhe do të votohet.