Kryeministri Edi Rama reagoi sot në lidhje me kaosin e krijuar në Kuvend nga deputetët e Rithemelimit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Kryeministri renditi edhe autorët e rikthimit kaq të shpejtë në identitet të opozitës sot në parlament.

“Cilët ishin autorët e rikthimit kaq të shpejtë në identitet të opozitës sot në parlament? Një kriminel italian i dënuar 17 vjet nga drejtësia shqiptare; Një ish-zv.kryeministër i arratisur për t’i ikur drejtësisë; Një ish-kryeministër në arrest shtëpie me vendim të drejtësisë; Një ish-prokuror i përjashtuar nga sistemi i drejtësisë për mojustifikim pasurie; Një program në RAI3 që i shfaqi të lartpërmendurit si heronj pozitivë të një bashkëprodhimi italo-shqiptar me baltë të eksportuar nga kanalet e ujrave të zeza politike e mediatike të Tiranës”, u shpreh Rama.

Sipas tij, “kjo lojë balte e radhës me emrin e Shqipërisë duhet futur në llogaritë që do të bëhen në zgjedhjet e afërta”.

“Vesi del me shpirtin, por shpirtit të së keqes që po del me të çjerra nga jeta e këtij vendi pasi e persekutoi këtë vend qysh prej vitit 1912, kjo lojë balte e radhës me emrin e Shqipërisë i duhet futur në llogaritë që do të bëhen në zgjedhjet e afërta”, vijoi Kryeministri.

Rama u bëri thirrje qytetarëve që të mos i falin më por t’i shkatërrojnë përfundimisht me votë.

“Mos i falni më, duhen shkatërruar përfundimisht me votë! Shqipëria ka kry punë me ta dhe nuk ndalet dot më nga askush”, shtoi Rama./ata