Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku u shpreh sot se “qeveria pritet të rishohë buxhetin e disa prej projekteve që do të investohen nga paratë e taksave”, ndërsa sipas saj, “nuk njeh rritjen e kostove të jetesës së qytetarëve”.
Sipas Tabakut, “janë tre rrugë që do i rriten kostot me 260 milionë euro më shumë se sa projeksioni i marsit 2024”.
“Rritja me 71% e kostove vetëm për këto projekte justifikohet nga qeveria se janë rritur kostot e materialeve dhe projektit në tërësi. Po kostot e jetës së shqiptarëve janë rritur? Qeveria socialiste mohon rritjen e çmimeve për produktet që ju bleni çdo ditë tek marketi apo tregu i vogël në lagjen tuaj. Për qeverinë janë rritur vetëm kostot e ndërtimit të rrugëve, por jo kostot që ju shpenzoni për shtëpinë tuaj. Për qeverinë janë rritur kostot e rrugëve, por jo kostot e shërbimeve që ju merrni çdo ditë, të ilaçeve për prindërit dhe gjyshërit ato qeveria mendon se nuk janë rritur”, u shpreh Tabaku.
Sipas saj, “qeveria socialiste mendon se inflacioni ha vetëm të ardhurat e atyre që fitojnë koncesionet dhe PPP-të, por jo të portofolit të qytetarëve”.
“Shqiptari blen më shtrenjtë ushqimet, zarzavatet, bukën, qumështin dhe vezën por për qeverinë halli është si të rrisim buxhetin dhe lekët që marrin nga taksat e larta në xhepin tuaj. Kjo është të mendosh për pakicën që merr tendera dhe të injorosh shumicën që paguan sa frëngu pulën për çdo gjë që blen në treg”, tha Tabaku./ata