Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca bëri të ditur se, Drejtoritë e Ujitje-Kullimit po vijojnë punën për pastrimin e kanaleve kulluese me qëllim parandalimin e përmbytjeve në zona të ndryshme të vendit.

 

Ministrja përcolli në rrjete sociale foto ku shihen aspekte të ndryshme nga puna konkrete që po kryhet në terren, teksa informoi se, “Drejtoria e Ujitje-Kullimit Korçë po punon për mbrojtjen e tokave nga gërryerjet e lumenjve, duke eliminuar rrezikun e përmbytjeve të tokave bujqësore dhe mbrojtjen maksimale gjatë sezonit të shirave”.

 

Krifca tha se, konkretisht ekipet tona janë duke punuar për ndërtimin e argjinaturave në: Lumin Devoll, në fshatin Inonisht, Bilisht; Lumin Dunavec në fshatin Ravonik, Korçë; Lumin Shkumbin në Ullishtaj, Papër, Elbasan; Lumin Shkumbin në Shirgjan, Elbasan dhe në lumin Osum në Orizaj, Berat – loti 1 dhe 2.

 

“Jemi të angazhuar me një vëmendje të shtuar të ekipeve tona për pastrimin e kanaleve të ujitjes dhe kullimit, me qëllimin për t’i paraprirë parandalimit të përmbytjeve të tokave bujqësore dhe zonave përreth banesave të fermerëve, si dhe do të ndikojmë direkt në prodhimtarinë e tokës”, u shpreh ministrja Krifca.