Ka rënë në pranga autori i plagosjes së një 59-vjeçari në Tepelenë. Policia bën me dije se si rezultat i reagimit të menjëhershëm të Policisë kapet dhe arrestohet 30-vjeçari.

 

 

Mësohet se pas marres së njoftimit nëpërmjet një telefonate se në malin e fshatit Matohasanaj, njësia administrative Lopës, një shtetas kishte plagosur me armë zjarri (pushkë) një shtetas tjetër (të dy barinj), Policia ka organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim kapjen e autorit.

 

 

Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të Policisë, është kapur dhe vënë në pranga shtetasi B. L., 30 vjeç, banues në fshatin Matohasanaj, pasi në malin e këtij fshati, për shkak të një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri (pushkë), shtetasin S. Z., 59 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.