Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Hakan Fidan dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një bisedë telefonike kanë diskutuar për ringjalljen e marrëveshjes së drithërave të Detit të Zi.

Sipas burimeve diplomatike, Fidan dhe Stoltenberg po ashtu shkëmbyen mendime mbi zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe përpjekjen e Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO.

 

Biseda telefonike erdhi një ditë pasi presidenti turk, Recep Tayyip ErdoÄŸan, u takua me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në qytetin bregdetar rus Sochi. Rivendosja e marrëveshjes së drithërave e vitit 2022, që ndihmoi në lehtësimin e krizës globale të ushqimit, ishte në krye të agjendës së takimit.

 

Në muajin korrik, Moska pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Türkiye dhe Kombet e Bashkuara (OKB), e cila kishte për qëllim rifillimin e eksporteve të drithërave nga tre portet ukrainase të Detit të Zi, që u ndaluan pas fillimit të luftës në Ukrainë.

 

Moska është ankuar se Perëndimi ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve të veta për eksportet e drithërave ruse dhe se nuk dërgohet mjaftueshëm drithëra ukrainase në vendet në nevojë.

 

Türkiye thotë se marrëveshje duhet të rifillojë duke adresuar mangësitë dhe se nuk ka alternativë pasi propozimet e tjera kanë dështuar të ofrojnë një model “të qëndrueshëm dhe të sigurt”./AA