Njësia e Grave e Kombeve të Bashkuara (UN Women) tha se të paktën 557 mijë gra palestineze përballen me pasiguri serioze ushqimore në Rripin e Gazës, ku Izraeli po i vazhdon sulmet e tij brutale.
Në një deklaratë të OKB-së, thuhet se pasiguria ushqimore në Rripin e Gazës bën që nënat palestineze, të cilat kanë prioritet ushqimin e fëmijëve të tyre, të anashkalojnë vaktet dhe të konsumojnë më pak ushqim.
Në deklaratë thuhet se të paktën 557 mijë gra palestineze në Rripin e Gazës përballen me pasiguri serioze ushqimore, ndërkohë që sulmet e Izraelit vazhdojnë, dhe se qasja e grave palestineze në shërbime të caktuara është e kufizuar dhe siguria e tyre shëndetësore ndikohet negativisht.
Deklarata përfshin një sondazh të kryer nga UN Women me 295 burra palestinezë dhe 305 gra në prill 2024.
Në rezultatet e anketës thuhet se barra e kujdesit të grave palestineze është rritur për shkak të pasigurisë ushqimore, ato përjetojnë marramendje me humbje peshe dhe hasin në probleme gjatë shtatzënisë, lindjes dhe periudhave pas lindjes.
Po ashtu theksohet se për të eliminuar problemet e shkaktuara nga pasiguria ushqimore, duhet të merren masa, si ofrimi i ndihmës humanitare, lejimi i kalimit në Rripin e Gazës dhe trajtimi kundër kequshqyerjes.
Shumica e të anketuarve e kanë konsideruar të pamjaftueshme ndihmën ushqimore për Rripin e Gazës, thuhet në deklaratë, e cila shton se gratë, pasi janë të detyruara të përdornin materiale të mbeturinave për gatim, janë ballafaquar me probleme të frymëmarrjes dhe probleme të tjera shëndetësore.
- Vajza palestineze: "Përziejmë miellin e grurit me ushqim kafshësh"
Duke folur për UN Women, një vajzë 16-vjeçare palestineze ka deklaruar se në Gaza mungon ushqimi pas sulmeve të Izraelit. "Nuk kishte perime apo ushqim në tregje. Duhej të hanim gjërat më të këqija", ka thënë ajo.
Duke shpjeguar se kanë përzier miellin e grurit me ushqim kafshësh, vajza palestineze ka thënë: "Disa ditë nuk kishim ushqim, ndiheshim të lodhura dhe të rraskapitura. Gjithashtu, nuk kishte spital dhe disa ditë nuk mund të dilnim nga shtëpia për shkak të bombardimeve".
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 janë vrarë mbi 37.700 palestinezë, përfshirë të paktën 15 mijë fëmijë dhe 10 mijë gra, ndërsa dhe më shumë se 86 mijë të tjerë janë plagosur.
Ndërsa raportohet se ka ende mijëra të vdekur nën rrënoja, infrastruktura civile është shkatërruar gjithashtu, duke përfshirë spitalet dhe institucionet arsimore ku ishin strehuar civilë./aa