Volumi i mallrave me destinacion Kosovën përmes Portit të Durrësit u rrit me 50 % gjatë tetëmujorit të këtij viti.

 

Tashmë prej datës 1 tetor të vitit 2022, në doganën e Durrësit po kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën.

 

Janë 1040 biznese nga Kosova që përfitojnë aktualisht nga hapja e kësaj dege, jo vetëm kohë, por edhe kosto të reduktuar zhdoganimi.

 

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shqipëri, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndaloi dhe në Portin e Durrësit, ku u takua me drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Gent Gazheli, si dhe drejtorin e përgjithshëm të Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu.

 

Gjatë këtij takimi u diskutua mbi ecurinë e shkëmbimeve tregtare me Kosovën, bashkëpunimin doganor dhe ecurinë e përpunimit të mallrave të Kosovës në import dhe eksport, përmes kompleksit portual Durrës/Porto Romano.

 

Osmani, gjatë ndalesës në Terminalin e Trageteve vizitoi dhe zyrat e doganës së Kosovës, ku prej 10 muajsh realizohen të gjitha procedurat e zhdoganimit.

 

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për të gjitha lehtësitë e ofruara nga autoritetet shqiptare, duke mundësuar ndërveprim me të madh mes dy doganave, përshpejtim të procedurave dhe rritje të bashkëpunimit tregtar përmes portit të të gjithë shqiptarëve.

 

Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) mbi tregtinë e jashtme, eksportet shqiptare drejt Kosovës gjatë periudhës janar-korrik ishin 23.7 miliardë lekë, nga 22 miliardë lekë që ishin në 7-mujorin e 2022-shit.

 

Ndërkohë, importet për 7-mujorin llogariten 6.4 miliardë lekë nga mbi 9 miliardë lekë që ishin në 7-mujorin e 2022-shit.

 

Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike.

 

Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit/ mobilierisë si ndenjëset (karrige e kolltukë) apo mobilje të tjera.