Në Bankën e Shqipërisë është zhvilluar ceremonia e promovimit të librit “Institucionet e Bretton Woods-it dhe Shqipëria”, me autor akad. Anastas Angjeli.
Ky libër ofron njohuri të vlefshme dhe praktike jo vetëm për hartimin dhe zbatimin e politikave të këtyre institucioneve në promovimin e stabilitetit financiar dhe zhvillimit ekonomik, por edhe për politikat që duhet të ndërmarrim për të shmangur “grackën e të ardhurave të mesme”.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, shprehu vlerësimet e veta për këtë libër që nënvizon rolin që këto institucione ndërkombëtare kanë luajtur në stabilizimin dhe mirëqenien e ekonomisë sonë.
“Ai na fton të rishikojmë mënyrën se si e kuptojmë ekonominë dhe rolin e institucioneve vendase dhe të huaja në rivendosjen e besimit dhe hedhjen e bazave për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë, si dhe sigurimin e investimeve në kapacitetet e zhvillimit afatgjatë, me qëllimin mbështetjen e stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik e financiar të secilit vend.”
Ndërsa akademiku Angjeli u shpreh se mori shkas për këtë libër në prag të afrimit të 80-vjetorit të marrëveshjes së Bretton Woods, të krijimit të këtyre institucioneve, të Fondit Monetar, të Bankës Botërore, të OBT.
“Për të studiuar gjithë historinë, por më tepër të hidhja dritë si u krijuan këto institucione, si funksionojnë këto institucione, çfarë raporti krijuam në vitet e para të tranzicionit me to dhe si vazhdojnë këto marrëdhënie sot dhe çfarë ka arritur Shqipëria në marrëdhënie me to”, tha Angjeli.
“Institucionet e Bretton Woods-it dhe Shqipëria” është një libër i rëndësishëm jo vetëm për lexuesin shqiptar e të huaj, por edhe për studiuesit e ekonomisë, historianët dhe diplomatët./ata