Shqipëria do të luajë mbrëmjen e sotme me Çekinë në orën 20.45, në sfidën kualifikuese të Euro 2024.

 

Pak para nisjes së ndeshjes, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka thënë në një intervistë se kuqezinjtë meritojnë kualifikimin në Europian, pasi kanë një skuadër të mirë.

 

Gjatë fjalës së tij, Duka u shpreh optimist për një rezultat pozitiv.

 

Ai thekson se futbolli nuk është llogari dhe as shkencë ekzakte, por duhet të shkosh në fushë për të dhënë maksimumin që për Kombëtaren Shqiptare janë 3 pikët.

 

“Padyshim që është shumë e rëndësishme, por të gjithë ndeshjet eliminatore janë shumë të rëndësishme dhe vendimtare. Nuk ke mundësi të bësh shumë hapa fals. Ai që bën më pak hapa fals, ai kualifikohet.

 

Kështu që, në këtë këndvështrim, kemi kaluar tri ndeshje të rëndësishme. Kemi fituar dy dhe kemi humbur një. Kemi akoma pesë të tjera po të të njëjtit nivel. Jemi sot në Çeki, kundër kokës së grupit, kryesuesve të grupit. Kundër një skuadre të mirë.

 

Ndeshja merr peshë më të madhe dhe të jep, pse jo, edhe emocion për futbollistët. Unë besoj se duke qenë vërtetë profesionistë dhe duke pretenduar se kemi një ekip të mirë, lojtarët do të jenë të aftë ta tejkalojnë këtë mbipeshë të kërkesës për rezultat.

 

Skuadra? Unë jam i bindur se kemi një skuadër të mirë. E meritojmë të shkojmë në Europian. Kemi bërë gjithçka mirë, por, mbi të gjitha, atmosfera është pozitive edhe rreth ekipit. Çunat duhet ta shfrytëzojnë këtë. Përveç kualitetit që kanë dhe harmonisë shumë të mirë të grupit.

 

As sot dhe as më parë nuk kemi superstarë, por mendoj se kemi një skuadër që meriton të jetë pjesë e Euro 2024. E ndihmuar shumë nga gjithë ambienti, nga tifozeria. Edhe nesër në stadium në Pragë, do të kemi mbi 4 mijë shqiptarë që do të mbështetin skuadrën. Ata do e ndihmojnë skuadrën për të arritur atë që të gjithë dëshirojmë.

 

Futbolli nuk është llogari, as shkencë ekzakte. Duhet të shkosh në fushë për të dhënë maksimumin dhe për të marrë maksimumin. Që janë 3 pikët. Pastaj përveç impenjimit, kualitetit dhe gjendjes së kundërshtarit, duhet të të ndihmojë edhe pak fati për të arritur objektivin.

 

Ndeshja ka një peshë specifike të veçantë, ka ngarkesë psikologjike për ekipin. Unë uroj që me nivelin e tyre profesional, lojtarët të largojnë emocionet, mbingarkesat apo mbishpeshën për të arritur rezultatin pozitiv. Dhe të japin atë që kanë.

 

Nëse do arrijnë të shprehin atë nivel që kanë, unë besoj shumë në një rezultat pozitiv. Padyshim që, e përsëris, kundërshtari është i fortë. Është kryesuesi i grupit, kanë fituar këtu kundër Polonisë me rezultat të thellë. Do të jetë një ndeshje e luftuar.

 

Sylvinho? Edhe Sylvinho duhet ta shfrytëzojë. Padyshim që ka bërë një punë të mirë, ka meritën kryesorë të krijimit të një atmosfere pozitive në skuadër dhe rreth saj. Duhet ta shfrytëzojë këtë moment të mirë për ta çuar Shqipërinë në Euro 2024. Është një specialist i mirë, jo më kot e kemi emëruar në krye të gjësë më të dashur të shqiptarëve. I uroj fat atij dhe neve”, tha Duka.