Këshilli i Lartë i Prokurorisë mbështet Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në intensifikimin e goditjes së fenomenit të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe vlerëson propozimin për ashpërsimin e dënimeve ndaj veprave kriminale të kryera brenda perimetrit të sigurisë së shkollave.
Gjatë takimit të zhvilluar mes ministrit të Brendshëm Taulant Balla dhe kryetarit të KLP-së, Alfred Balla, u diskutua gjithashtu edhe për një politikë penale më të ashpër kundër zjarrvënësve.
Pikë tjetër e diskutimit mes dy krerëve ishte dhe eficenca e Oficerëve të Policisë Gjyqësore pranë Drejtorive të Policisë ku KLP-ja vëren mungesë stabiliteti, që shkaktohet nga lëvizjet e shumta mes radhëve të këtyre oficerëve.
Gjatë takimit u diskutua dhe mbi veprimtarinë e Komisionit të Mbrojtjes së Prokurorëve ku ka përfaqësues të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.