Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe publikoi sot audioregjistrimin e komunikimit të drejtuesve të Gardës së Republikës gjatë protestës së 21 janarit 2011, ku u hap zjarr dhe u vranë 4 protestues.

Në audiopërgjim dëgjohet komunikimi i komandantit të Gardës, Ndrea Prendi me zv/komandantin dhe dy efektivë të njësisë speciale.

“Ky është urdhri dhe ky është momenti kur qeveria kriminale e Sali Berishës vrau katër shqiptarë të mirë, protestues, në 21 Janar. Dëgjojeni: ‘Ky është urdhri:… hap zjarr luftarak”; “ta, ta, ta gjakos?’ Dëgjoje edhe një herë: ‘ta, ta, ta a gjakos?'”, shkruan Braçe.

Po ashtu Braçe thekson se në videokomunikimin e publikuar Prendi urdhëron të bëhet kujdes me municionin, jo me njerëzit.

“Ka edhe më, dhe është barbarí. Nuk thotë ‘kujdes njerëzit’, ishin mijëra në bulevard, por thotë: ‘kujdes municionin”. A e kuptoni çfarë barbarësh janë?” – tha Braçe.

“Janë të njëjtët që vijnë me benzinë për të djegur e vrarë edhe sot”, duke iu referuar kështu protestës së paralajmëruar nga opozita të hënën.

“Janë fiks të njëjtët. Nuk u penduan e nuk u tërhoqën kurrë. Këta do keni në rrugë të hënën”, shtoi ai./ata