Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka deklaruar se Türkiye ka bërë përpjekje të mëdha për nxitjen e investimeve në Algjeri, ku autoritetet ofrojnë të gjitha llojet e bashkëpunimit.
Në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me homologun e tij algjerian, Ahmed Attaf, ministri turk tha se janë bërë përpjekje dhe ka një "vullnet të madh për të rritur investimet turke" në Algjeri.
"Edhe autoritetet algjeriane po tregojnë të gjitha llojet e bashkëpunimit në këtë drejtim. Ne po punojmë për hapjen e një dege të ‘Ziraat Bank’ (në Algjeri), veçanërisht për zgjidhjen e problemeve financiare dhe problemeve lidhur me këtë", tha Fidan.
Dy ministrat bashkë-kryesuan takimin e dytë të Grupit të Përbashkët të Planifikimit, i formuar për të ndjekur rezultatet e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Türkiye-Algjeri, të mbajtur në Türkiye në vitin 2022.
Duke theksuar se ata patën një "takim shumë të frytshëm", Fidan njoftoi se ata ri-shqyrtuan reciprokisht punën bashkëpunuese në të gjitha fushat shtetërore, biznesore dhe shoqërore.
Fidan po ashtu theksoi se u diskutua për çështjet e bashkëpunimit rajonal, bashkëpunimit dypalësh dhe si të jepet kontribut pozitiv në zgjidhjen e problemeve në Afrikë.
Për grusht shtetet e fundit në Afrikë, Fidan tha se "seria e grusht shteteve fatkeqësisht shkaktoi skena në vitet e fundit që nuk duam t’i shohim në Afrikë".
Sipas tij, procesi i të qenit shtet dhe dështimi i sistemeve politike në Afrikë, veçanërisht në vendet që fituan pavarësinë me vonesa, janë një nga arsyet e krizës së vazhdueshme.
"Arsyeja e dytë kryesore për këto kriza politike është ndërhyrja e huaj, metodat e ndjekura nga disa fuqi perandorake në politikat e tyre në lidhje me vendet afrikane, si dhe metodat që preferojnë dhe mjetet që përdorin. Krizat politike në Afrikë vazhdimisht po shkaktohen", tha ministri turk.
Nga ana tjetër, Attaf, tha se marrëdhëniet midis Türkiyes dhe Algjerisë po zhvillohen si politikisht ashtu edhe ekonomikisht.
Ai tha se ka pasur progres të rëndësishëm gjatë tre viteve të fundit.
Duke theksuar se marrëdhëniet mes Algjerisë dhe Türkiyes janë duke u përmirësuar vazhdimisht, Attaf tha se ato janë zgjeruar për të përmbushur mundësitë e bashkëpunimit dhe partneritetit.
Attaf ndodhet në Türkiye për një vizitë tre-ditore që filloi dje./AA