Policia e e Tiranës njofton se pas një pune hetimore gjashtë  mujore, ka goditur një grup të shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke arrestuar 8 persona dhe shpallur në kërkim një tjetër.

 

Sipas policisë, operacioni është zhvilluar me metoda proaktive, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

 

“Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë lëshuar 9 urdhra ndalimi, nga të cilët janë ekzekutuar 8 dhe 1 është shpallur në kërkim”, njofton Policia.

 

“Gjatë zhvillimit të këtij operacioni gjashtëmujor, janë sekuestruar 650 doza cannabis sativa, 150 doza lënde narkotike kokainë, 1 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, qindra qese farmaceutike që shërbejnë për paketimin e lëndëve narkotike, dy peshore elektronike, dhe 5 aparate celulare”, vijon njoftimi.

 

“Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasve: H. R., 35 vjeç, V. B., 31 vjeçe, A. H., 19 vjeç, A. A., 20 vjeç, Xh. A., 21 vjeç, D. Sh., 46 vjeç, D. S., 19 vjeç, dhe I. Gj., 22 vjeç, të gjithë banues në Tiranë. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi K. R., 29 vjeç, banues në Tiranë.  Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuara narkotike të llojit kokainë dhe kanabis, në sasi të mëdha, dhe më pas i shitnin ato në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në afërsi të lokaleve të natës dhe të vendeve që frekuentohen nga të rinjtë”, bënë të ditur Policia.

 

“Në cilësinë e provës materiale, gjatë zhvillimit të gjithë operacionit janë sekuestruar 650 doza cannabis sativa, 150 doza lënde narkotike kokainë, 1 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, qindra qese farmaceutike që shërbejnë për paketimin e lëndëve narkotike, dy peshore elektronike, dhe 5 aparate celulare. Vijon puna për kapjen e shtetasit K. R”, përfundon njoftimi i Policisë së Tiranës.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.