Një 27-vjeçare është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi u kap me kanabis në banesë.

 

Sipas Klan News e arrestuar është këngëtarja Ruenca Haxhiaj, e njohur me emrin Enca.

 

Policia e Tiranës bën me dije se pasi ushtroi kontroll në banesën e këngëtares, në ballkon gjeti 5 vazo të mëdha të mbjella me kanabis.

 

Pas arrestimit, këngëtarja ka thënë se është përdoruese dhe e ka për përdorim vetjak. 27-vjeçarja është kapur bashkë me të dashurin e saj.

 

Banesa e këngëtares ndodhet në afërsi të Tegut në një vilë private.

 

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Balcony”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Kishte kultivuar bimë narkotike, në vazo, në ballkonin e banesës së saj, vihet në pranga 27-vjeçarja.Sekuestrohen bimët narkotike.

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetase kishte kultivuar bimë narkotike, në ballkonin e banesës së saj, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Balcony”.

 

Si rezultat i këtij operacioni u vu në pranga shtetasja R. H., 27 vjeçe, banuese në Lundër. Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçares, në ballkon, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në vazo. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë