Gjykata e Tiranës ka caktuar masën “Detyrim paraqitje” për këngëtaren Ruenca Haxhiaj, e njohur ndryshe me emrin e artit Enca.

 

Këngëtarja u arrestua pasi gjatë kontrollit në banesën e saj në periferi të kryeqytetit, u gjetën disa vazo ku kultivohej kanabis sativa.

 

Mbrojtja pretendoi se qëndrimi me masë më të rëndë, nuk është i nevojshëm pasi nuk përbën rrezik për t’iu shmangur hetimit.

 

 

Ata e konsideruan arrestimin të paligjshëm, pasi nuk ka patur urdhër-arresti nga gjykata por vetëm me iniciativë të Oficerëve të Policisë Gjyqësore. Mbrojtja deklaroi në seancë se mbjellja e bimës është bërë për kureshtje.

 

Enca u ndalua në banesën e saj, ku ishte në praninë e të dashurit të saj Neblett Khaiden Quasie.

 

Duke qenë se banesa është në pronësi të këngëtares si dhe në bazë të deklaratave të saj se ishte ajo poseduesja e bimëve narkotike, policia ka bërë vetëm ndalimin e saj duke lënë të lirë të dashurin e huaj.

 

Në dëshminë e saj të parë në polici Enca ka deklaruar: “Jam përdoruese, kanabisin e kisha për përdorim vetjak”.

 

Bimët narkotike u gjetën në verandë të mbjella në 5 vazo të ndryshme.