Sapo ka filluar takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, si dhe të Dërguarin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

 

Së pari, dy diplomatët evropianë kanë takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke filluar nga ora 09:00 e mëngjesit.

 

Pas takimeve veçmas, do të zhvillohet takimi trilateral me ndërmjetësimin e BE-së. Takimi trepalësh, sipas njoftimit, do të fillojë nga ora 11:00 dhe temë diskutimi do të ketë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiç në muajin shkurt.

 

Kjo marrëveshje me 11 nene parasheh, mes tjerash, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë; kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, dhe i obligon ato që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

 

Kurti dhe Vuçiç, sipas agjendës që ka publikuar BE-ja, do të diskutojnë edhe për “çështjet aktuale”.

 

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje që t’i marrin seriozisht obligimet e tyre.

.