Gazeta prestigjioze spanjolle “El Pais” i ka kushtuar një artikull Piramidës së Tiranës, e cila është transformuar në qendrën më të madhe teknologjike në Ballkan.

 

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale artikullin e botuar nga “El Pais”.

 

“Piramida vijon të bëjë për vete medien ndërkombëtare. Këtë herë “El Pais”, një artikull të dedikuar për të dhe jo vetëm”, shkruan Rama.

 

Në artikullin e “El Pais” thuhet se gati katër dekada pas vdekjes së Enver Hoxhës, udhëheqësit që e ktheu Shqipërinë në një nga vendet më të izoluara të Europës, turizmi ka përjetuar një rritje shumë të shpejtë në muajt e fundit.

 

“Numri i vizitorëve të huaj në maj ishte 2,5 herë më shumë se në të njëjtin muaj të 2019. Vendi i vogël ballkanik ka tejkaluar shifrat e para pandemisë që nga vjeshta e vitit 2021, ndërsa destinacionet kryesore turistike si Franca dhe Italia nuk kanë arritur ende të kthehen në nivelet e mëparshme. Shqipëria ofron çmime të përballueshme, ujëra të pastër kristal dhe ekzotizëm. Këto janë themelet e fushatës së marketingut digjital që ka tërhequr mijëra turistë këtë verë, në një vend me një popullsi prej 2,8 milionë banorësh, të cilit i është dashur të rekrutojë më shumë punëtorë nga India, Bangladeshi dhe Pakistani, mes vendeve të tjera, për të përmbushur rritjen e kërkesës”, theksohet në artikullin e “El Pais”.

 

Në artikullin e “El Pais” thuhet se “Shqipëria regjistroi një rritje prej 45% nga viti në vit, në numrin e lejeve të ndërtimit në vitin 2021, duke reflektuar një tendencë rritëse që, sipas të dhënave të qeverisë, u kryesua në vitin 2022 nga sektori i hotelerisë, i cili regjistroi një rritje prej 55% në biznes”.

 

Sai përket bujqësisë gazeta shprehet se ky sektor ka përfaqësuar tradicionalisht burimin kryesor të punësimit, por tashmë është kthyer edhe në një gjenerues të këmbimit valutor.

 

“Të dhënat e eksportit bujqësor kishin filluar të rriteshin para pandemisë, në 2017 dhe 2018. Më pas u rikuperua në vitin 2022 dhe ka ecur kryesisht mirë në vitin 2023”, tha Meleq Hoxhaj, një studiues i pavarur dhe bashkëautor i një pune kërkimore mbi lidhjen midis globalizimit dhe papunësisë në Shqipëri”, thuhet në artikull.