Autoritetet e Malit të Zi kanë arritur të gjejnë furgonin që kanë përdorur mafiozët që kanë ideuar hapjen e një tuneli 30 metra të gjatë që të çon në depon e Gjykatës së Lartë. Shumë dosje janë vjedhur por autorët i kanë bërë dokumentet rrëmujë që të fshihnin objektivin e tyre të vërtetë.
Në depon e Gjykatës së Lartë në Podgoricë janë vjedhur disa pistoleta që janë materiale dëshmuese ndaj krerëve të klanit kriminal nga Kavaka, ndërsa hetuesit janë në kërkim të 6 personave që kanë marrë pjesë në hapjen e tunelit që të çon në ambientet e kësaj gjykate.
Vijesti shkruan se me shumë gjasa të dyshuarit janë të huaj, ndërsa do të akuzohen për vjedhje të rëndë, pengim i drejtësisë dhe fshehje provash.
Në zonën e Botunit policia ka gjetur një furgon që dyshohet se është përdorur nga të dyshuarit.
Gazeta Vijesti shkruan se mjeti ka qenë i parkuar pothuajse gjatë gjithë kohës para godinës ku nisi gërmimi i tunelit.
Përveç armës janë vjedhur edhe dosje, por besohet se kriminelët kanë bërë rrëmujë qëllimisht në dokumente, për të fshehur objektivin e tyre kryesor.
Tuneli me përmasa 70x60 centimetra, me shumë gjasa është gërmuar nga fundi i korrikut deri në fundjavën e kaluar, kur hajdutët arritën të depërtonin në depo.Hetuesit fillimisht vendosën një robot në tunel, që filmoi të gjithë zonën dhe më pas pjesëtarët e Njësisë Antiterroriste kaluan në atë zonë duke kërkuar për të dhëna që mund t’i ndihmojnë gjatë hetimit.
Pothuajse i gjithë stafi drejtues i Drejtorisë së Policisë dhe prokurorët kanë qenë dje në vendngjarje.
Kryeministri Dritan Abazoviç, pasi vizitoi ambientet e gjykatës dhe banesën nga u hap tuneli për në depo, deklaroi se mafia nuk do ta mposhtë shtetin, sado i fortë financiarisht të jetë dhe sa mbështetje të ketë brenda sistemit.